Ish-kryetari i Shtërpcës që u arrestua sot në 2015-n akuzohej për keqpërdorim të miliona eurove

Prishtinë | 21 Dhj 2021 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës sot ka arrestuar dhjetë persona gjatë një aksioni, në mesin e tyre janë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, drejtori i Urbanizimit, disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë firmash, për shkak të dyshimit për ryshfet e keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Mirëpo, me 29 dhjetor të viti 2015, Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur të pafajshëm, në atë kohë kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Trupi gjykues kishte vlerësuar se nuk janë përmbushur elementët e kryerjes së veprës penale: keqpërdorim i detyrës, sepse nuk është vërtetuar se te të pandehurit ka ekzistuar dashja e kryerjes së veprës penale, përfitimi personal ose dëmtim i palës tjetër, raporton Demokracia.com.

Musa Kongjeli, kryetar i trupit gjykues, duke e arsyetuar vendimin për lirim, kishte thënë se të pandehurit në kohën e veprës penale, në 2010-ën, nuk e kanë ditur se po vepronin gabim, ani pse zyrtari i prokurimit ka pasur të kryer Fakultetin Juridik.

Nikoliq që ishte njeri i afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, bashkë me zyrtarin e prokurimit, ishin akuzuar se kanë lidhur aneks kontratë në vlerë prej rreth 346 mijë euro, duke tejkaluar 10% të kontratës, që ka qenë në vlerë prej 1 milion e 516 mijë euro për ndërtimin e disa ndërtesave.

“Të pandehurit akuzohen se “me datë 16 dhjetor 2010 në Shtërpcë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, në cilësinë e personave zyrtarë dhe atë i pandehuri i parë si kryetar i Komunës së Shtërpcës kurse i pandehuri i dytë zyrtar i Prokurimit në Komunën e Shtërpcës, duke vepruar në kundërshtim me ligjin 02/L-99 për Prokurimin Publik të Kosovës, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që kanë lidhur aneks-kontratë me numër 02/284, në vlerë prej 346 mijë e 674 euro me operatorin ekonomik NNT.”Albes”, nga Istogu, duke tejkaluar 10 për qind të vlerës së kontratës bazë prej 1.516.281.25 euro, sipas tenderit me numër të prokurimit 02-01010511, për ndërtimin e tri ndërtesave në Shtërpcë, me të cilin veprim kanë dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Ndërsa sot Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se të arrestuarit po dyshohen për veprat penale: marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

“Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Të ngjashme