Presidenti i një shteti që funksionon me demokracinë kushtetuese parlamentare nuk guxon të bëjë vlerësime politike me rastin e dekretimit.
Kështu thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në lidhje me mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër në Qeverinë e Shqipërisë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Hasani thotë se presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duhet të marrë përgjegjësi vetëm për pjesën ligjore dhe jo atë politike, të dekretimit ose jo të një ministri.
“Shefi i shtetit, unë besoj ka mangësi të thella në pjesën që i takon vlerësimit politik dhe presidenti merr përgjegjësi vetëm sa i përket pjesës ligjore, vlerësimit të pjesës ligjore. Pse është kjo kështu? Në demokracitë kushtetuese parlamentare siç është Shqipëria, Kosova dhe gjitha tjera përreth, shefi i shtetit, presidenti, nuk mund të bëjë vlerësime politike me rastin e dekretimit, ose vlerësime politike me rastin e dekretimit ose vlerësime që nuk kanë natyrë formale ose ligjore sepse ai nuk është ndarës i pushteteve dhe nuk i takon asnjërit prej tri pushteteve të ndara por është balancues i tri pushteteve të ndara një prej balancuesve. Shefi i shtetit, Gjykata Kushtetuese, agjencionet dhe institucionet e pavarura janë organe që i balancojnë tri pushtetet në mënyra të ndryshme”, shprehet ish kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani.
Hasani e sheh të rregullt mosdekretimin e Gent Cakaj, nëse bazohet vetëm në mungesën e Certifikatës së Sigurisë dhe mungesave tjera ligjore. Por ani nuk pajtohet me deklarimet e Metës sa i përket çështjes politike të Cakajt.
“Në aspektin politike referohem deklaratave që kanë të bëjnë me deklarimit e kandidatit për ministër që natyrës politike, kurse ligjore ato i referohemi certifikatës d.m.th të sigurisë të sigurisë sipas asaj që ka gjetur presidenti thotë se nuk e ka. Në këtë kuptim mendoj që pjesa politike në demokraci kushtetuese parlamentare, as Shqipëria as vendet tjera përreth nuk mund të jenë objekt vlerësimi i presidentit të shtetit”, tha Hasani për Ekonomia Online.
“Ky kandidat nuk i ka plotësuar këto kushte siç është certifikata e sigurisë dhe për atë është përgjegjës dhe e e merr përgjegjësinë por jo duke bërë vlerësime politike, çoftë dekret coftë pas tij”, shtoi Hasani.
Sa i përket procedurës ligjore, profesori i të drejtës ndërkombëtarë, thotë se kreu i shtetit mund të kërkojë mënjanimin e shkeljeve që i ka hasur gjatë dekretit.
“Shefi i shtetit mund ta kthejë, të kërkojë mënjanimit të shkeljeve ligjore dhe kushtetuese që janë bërë gjatë propozimit , vetëm me ato. d.m.th. propozuesi në këtë rast Qeveria duhet t’i mënjanoi ato”, pohon Hasani.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të enjten ka refuzuar propozimin për emërim të Gent Cakaj si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Gent Cakaj u propozua të emërohet nga kryeministri Edi Rama në postin që e mbante Ditmir Bushati.
Ndërsa gjatë të premtes, presidenti Meta ka këmbëngulur se pajisja me Certifikatën e Sigurisë të Gent Cakajt, është bërë në kundërshtim me ligjin, e për këtë ka kërkuar ngritjen e një Komisionin Hetimor Parlamentar për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.