Larg nga shkëlqimi i pesë ligave më të mëdha të Evropës, diçka e veçantë po gatuhet në qytetin bregdetar grek, në Selanik.
Edhe pse nisi stinorin me minus dy pikë, meqë presidenti i klubit u fut në fushë me pistoletë një stinor më herët, PAOK-u i Selanikut është tri ndeshje larg që të fitojë titullin e parë të Greqisë që nga viti 1985.
Për më tepër, është rrugës që të bëhet skuadra e parë që fiton titullin pa humbje që nga stinori 1963-64.
Forma e shkëlqyer e PAOK-ut koincidon me transferimin e ish-sulmuesit të Arsenalit, Chuba Akpom, për dy milionë funte, i cili ka firmosur kontratë trevjeçare.
Akpom ka shënuar pesë gola në 17 ndeshje në elitë, përfshirë një kundër rivalit të përbetuar Olympiacosit, që nga transferimi në gusht, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
“Kudo që shkoi tifozët më kujtojnë mua se kanë kaluar 34 vjet qëkur së fundi skuadra ka fituar ligën”, ka treguar Akpom. “Futbolli është religjion këtu. Tifozët gjithmonë ndalen për të më treguar mua tatuazhet e PAOK-ut. Kur unë erdha për të firmosur, kishte tifozë që më prisnin në aeroport. Është një përvojë e re për mua”.
Me seli në veri të Greqisë, rreth 500 kilometra nga kryeqendra Athina, PAOK-u nisi stinorin me minus dy pikë.
Ishte pjesë e dënimit pasi Ivan Savvidis, presidenti i klubit, ishte futur me pistoletë në fushë një vit më parë.
Biznesmeni greko-rus kishte pistoletën në bel kur u fut në fushë pasi PAOK-ut iu anulua një gol në çastet e fundit për shkak të pozitës jashtë loje gjatë ndeshjes me AEK-un e Athinës. AEK-u e fitoi ligën stinorin e kaluar.