Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) ka organizuar tryezën me temën “Lufta në Siri dhe tregimi publik i ish-luftëtarëve – çka më tutje”.
Në këtë konferencë tre ish-luftëtarë të ISIS-it nga Kosova kanë rrëfyer për pjesëmarrjen e tyre në luftën në Siri, raporton Ekonomia Online.
Burim Ramadani drejtues i organizatës SPRC ka thënë se një organizim i tillë ndihmon trajtimin më gjithëpërfshirës dhe më njerëzor të orientuar kah rezultatet. Ai ka thënë se rezultatet janë ato të cilat duhet t’i arrijnë.
Albert Berisha, ish-luftëtar ka thënë se ka qenë i pari që ka marr guximin të flas në media për të treguar që “nuk jemi monstruma, po jemi njerëz të këtij vendi”.
Ai ka thënë se tashmë është vetë i gjashti ish-ushtar, i cili është kthyer nga lufta e ISIS-it.
Berisha ka treguar se pika shtyse e tij që ka qenë pjesë e luftës në Siri është nga ligjëruesit e ndryshëm të fesë islame, të cilës thotë se i përket edhe vet Alberti.
“Nuk është faji jonë, Qeveria jonë na e ka dhënë dritën e gjelbër që t’i ndihmojmë vendeve si Siria. Prokuroria ka thënë se Albert Berisha e ka arsimimin mjaftueshëm për të ditur se çfarë lufte zhvillohet në Siri. Në fakt asnjë prej nesh nuk e din se çka ndodh atje. Vetëm 9 ditë kam qenë pjesë e asaj lufte”, ka treguar Berisha.
“Fatkeqësisht asnjë nga institucionet nuk merret me vuajtjet e familjeve të cilat kanë pjesëtarë të familjes në radikalizim. Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të ndryshojnë qasje ndaj personave të cilët kanë qenë pjesë e radikalizmit”, ka thënë Berisha.
Kurse ish-luftëtari tjetër Hajrush Laçi ka treguar historinë e tij, ku ka thënë se 5 muaj ditë ka qenë në burgun e Shkupit.
Ai ka theksuar se edhe në Kosovë ka qenë i dënuar me 3 vjet burgim, ndërsa më pas ka treguar se ka bërë bamirësi dhe ka kërkuar të bëhet riintegrim për këta persona të cilët kanë qenë pjesë e luftës në Siri.
Ndërsa, Nexhat Behluli ka thënë se janë këtu për të luftuar ekstremizmin. Ai ka thënë se ekstremizmi nuk luftohet duke i burgosur, por duke i integruar.
Ai ka treguar se akuza ndaj tij ka qenë kinse u përfshirë në një organizatë, që sipas tij, nuk ekziston fare.