Ish-ministri i Drejtësisë Selim Selimi, ka reaguar për vdekjen e 18 vjeçares në Ferizaj. Ai komentoi edhe sjelljen e kryeministrit Kurti karshi kësaj ngarje, ku tha se varrimi i të ndjerës duhej të ishte dua për të, e jo për fjalimi politike.
Selimi theksoi se vrasja e 18 vjeçares duhet të jetë thirrje për vetëdijësim.
“Më duhet t’i them dy fjalë për humbjen e M.O. 18-vjeçaren nuk e humbi vetëm familja e saj, e humbëm të gjithë ne. Vrasja e saj është tregues se ne duhet të shërohemi nga paragjykimet e nga manipulimi i tragjedive. Vrasja e Marigonës nuk duhet të jetë kot por duhet të jetë thirrje për vetëdijësim”, ka shkruar Selimi në Facebook.
Tutje ai tha se dalja në protestë e bartësve të institutcioneve është hipokrizi.
“Më duhet t’i them edhe dy fjalë për sjelljen e shtetit në këtë ngjarje. Varrimi i të ndjerës do të duhej të ishte dua për shpirtin e saj, për paqen e saj në përjetësi e jo për fjalime politike. Dalja në protestë e bartësve të institucioneve është hipokrizi. Ai gjyqtar që nuk caktoi seancën nuk është gjyqësori, ai prokuror që nuk e ndjeki të pandehurin nuk është prokuroria e shtetit, ata janë individ të papërgjegjshëm e shkelës të ligjit. Damkosja e KGjK-së dhe e KPK-së nga ekzekutivi duke marrë pjesë në protesta është fshehje nga përgjegjësia”, tha Selimi.