Ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se nuk ka pritur që të këtë një degradim kaq të madh të qeverisjes nga kryeministri Albin Kurti.
Ai ka pasur kritika të mëdha edhe për udhëheqjen e MMPH-së, duke shtuar se për këto vite nuk ka pasur as edhe një projekt në të mirë të qytetarëve nga kjo ministri.
Ish-ministri ka shtuar se për tri vite të kësaj qeverisjeje ka pasur stagnim të plotë të vendit, e në disa fusha, sipas tij, ka edhe kthim mbrapa.
“Janë tri vite stagnim i plotë i vendit, në disa fusha edhe kemi kthim mbrapa. Nuk janë as për së afërmi pritjet që kanë pasur qytetarët. Dorën në zëmër, edhe ne si subjekte opozitare, që më herët kemi qenë në qeverisje nuk është se kemi pritur se do të ketë një degradim të tillë të qeverisjes, një moszhvillim kaq të madh e që kjo qeveri do ta përmbyllë mandatin e saj qoftë edhe pa një projekt konkret të madh për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Matoshi si pikën më të dobët të kësaj qeveria e konsideron procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se kryeministri Kurti është duke treguar mos seriozitet me kushte e vendosura për takim më Serbinë, kjo pasi sipas tij, një javë pas vendosjes se tri kushteve, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi zhvilloj takim me homologun e tij serb.
“Kjo është pika më e dobët e kësaj qeverie, ka marrë pikën e vetë të shtatë që e ka pas prioritetin e vetë të shtatë, dialogun e ka bërë prioritet të parë por ne nuk duhemi me harru asnjëherë që kur Kurti dhe qeveria e tij janë fut në dialog atëherë ka pas një qëndrim unik edhe të BE-së dhe ShBA-ve që dialogu do të zhvillohet me njohjen e ndërsjellët duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellët sot njohja e ndërsjellët nuk është pjesë e këtij dialogu. Mandej e ka një jo seriozitet të madh, për sa i përket çështjes së dialogut, kemi pa disa javë më herët ku kryeministri vendos kushte më herët, i vendos tri kushte për takim me Serbinë dhe të njëjtat pas një javë nuk vlejnë për kryeministrin dhe nëse kushtet që i ka vendos kryeministri nuk vlejnë për zëvendëskryeministrin atëherë nuk është se dikush do të na merr neve seriozisht”, vijon Matoshi.
Matoshi kritika pati për edhe për udhëheqjen e MMPH-së, sipas tij kjo ministri për katër vite nuk ka ndërtuar as një ujëmbledhës edhe pse vendi është duke u përballur me mungesë të madhe të ujit të pijes.
“Kanë kaluar katër vjet dhe nuk e kemi as edhe një lëvizje të vetme, qoftë në ndërtimin e ujëmbledhësve të rinj. Kosova sot përballet me mungesë të madhe të ujit të pijes, ka me dhjetëra familje në Kosovë që nuk e kanë të siguruar ujin e pijes dhe siç e kemi thënë gjithmonë ka qenë urgjente që të fillohet ndërtimi i ujëmbledhësve të rinj në Republikën e Kosovës. Këto katër vite, prej vitit 2020 nuk ka pas më asnjë lëvizje të vetme problem tjetër i madh ujërat e zeza as edhe një impiant për trajtimin e ujërave të zeza nuk është se është ndërtuar në këtë periudhë kemi pas në periudha të ndryshme probleme edhe me energjinë elektrike. Kosova edhe në vitin 2024 mbeti vend jo i sigurt sa i përket furnizimit me energji elektrike e që është një parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Matoshi për Ekonomia Online.
Ish-ministri tha se zyrtarëve të kësaj qeverie i mungon plotësisht përvoja qeverisëse.
“Nuk ka nevojë askush me shku dhe me hy te autostrada që të çon në Gjilan ose diku tjetër mjafton me e pa urën e Badovcit, janë 15 metra urë të cilat kanë filluar rrënimi i saj është bërë para më shumë se dy vjetëve. Po flasim për 15 metra urë mbi një skaj të Badovcit dhe sot e asaj dite pasi që është ndërtuar aty është meremetu për herë të dytë pasi që ka pësuar dëme, shkatërrime dhe ne nuk jemi askund dhe nuk duhet askush të jetë në vend punishte në mënyrë që qytetarët mos të maltretohen sa herë kalojnë aty. Iu mungon plotësisht përvoja qeverisëse dhe e dyta që ndoshta qeverisjen e kanë fillu tu llogarit që gjithçka ka ndodh në këtë vend më herët ka ndodh keq dhe ne duhemi me fillu me bë gjithçka nga e para gjë që është absolutisht e vërtetë”, ka thënë ai.