Policia e Kosovës është më e përgatitura në rajon, por nuk është komplet e pavarur nga politika, tha thënë në një intervistë për Ekonomia Online, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
Ndonëse vlerëson punën e pjesëtarëve të Policisë, ai pohon se këtij institucioni i duhet ligj bazik i pensionimit, e jo pensionim i parakohshëm.
“Është e decentralizuar Policia nga politika edhe pse nuk mund të themi se është komplet e depolitizuar, ka politizime. Nuk mundem me thënë që shfrytëzohen, janë shfrytëzuat gjithmonë edhe tash janë duke u shfrytëzuar. Po sado kudo Policia e Kosovës është një ndër policitë më të përgatitura në regjion. Në të gjitha ushtrimet bilaterale dhe trialaterale ku kemi marrë pjesë, e kemi marrë vendet e para”.
“Edhe unë për ata djem kam fjalë shumë të mira, por është problemi tjetër që ne t’i shtojmë, të bëjmë ligjin bazik të pensionimit të policisë jo pensionimin e parakohshëm. Po ligj bazik i cili funksionon të gjitha shtetet rreth nesh, që polici të punoj deri në moshën 55-vjeçare, pastaj të pensionohet”, ka thënë Mustafa.
Ish-ministri thotë se Kosova ka mbetur “vrimë e zezë” në Ballkan e Evropë shkaku i mosanëtarësimit në Europol dhe Iterpol.
Mustafa konsideron se vendi i ka përmbushur kriteret për anëtarësim edhe pse sfidë mbeten pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Kosova ka mbetur si vrimë e zezë në Ballkan edhe në krejt Evropën, shkaku i mosanëtarësimit në Interpol dhe Europol. Europoli është një mekanizëm evropian i cili funksionon edhe në Kosovë, por funksionon përmes zyrave ndërlidhëse. Ndërsa Interpoli është një mekanizëm botëror i sigurisë, mekanizëm teknik, nuk është mekanizëm politik. Këta e kanë politizuar problemin e Interpolit. Ne e kemi pasur shansin (të anëtarësohemi) më 2018, por na iku”.
“Tash Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret si për liberalizim të vizave, si për anëtarësim në Europol, si për anëtarësim në Interpol, por këto janë si shkak i politikës. Këto shtete mosnjohëse që janë 5 shtetet se e kanë të drejtën e votës, vota e tyre qon peshë edhe në anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Interpol”.
Ish-ministri Mustafa thotë se duhet të rritet niveli i bashkëpunimit me vendet e rajonit, raporton EO.
“Unë vetëm e kisha rritur nivelin e bashkëpunimit me shtetet fqinje, se ka qenë traditë në Ministrinë e Punëve të Brendshme sa kam qenë unë për 18 muaj a sa kam qenë. Ne dy herë, tri herë në vjet kemi bërë ushtrime bilaterale dhe trelaterale me Shqipërinë dhe Maqedoninë, me i testuar Forcat e Sigurisë, Forcat Speciale që me shikuar kapacitetet tona të sigurisë sa i kemi të përgatitura”, shprehet ish-ministri Mustafa.