Ish-ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ramë Buja, po përballet sërish me drejtësinë. Prokuroria Speciale e ka përfshirë nën hetim për një keqpërdorim tjetër të mundshëm në kohën sa ka udhëhequr me dikasterin e arsimit, shkruan sot Koha Ditore.
Buja, së bashku edhe me ish-zëvendësministrin e Arsimit, Agim Bërdynaj, ish-sekretarin, Xhavit Dakaj, si dhe ish-drejtorin e Prokurimit, Xhemajl Buzuku, po hetohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Koha Ditore” është informuar se aktvendimi për fillimin e hetimeve kundër tyre është nxjerrë nën dyshimin për parregullsi gjatë dhënies së tenderëve për blerje, furnizim dhe shpërndarje të librave shkollorë, të cilët janë shpërndarë falas për ciklin klasor prej 1 deri 9, duke filluar prej vitit 2011. Ata dyshohen se kanë porositur libra jashtë nevojave reale, duke e dëmtuar buxhetin e ministrisë, si dhe duke u sjellë përfitime të jashtëligjshme shtëpive botuese, ose për vete.