Ish-ministri tregon pse asnjëherë nuk u bë ligji për transplantim organesh

Prishtinë | 04 Jan 2021 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se gjatë mandatit të tij si ministër, një prej prioriteteve ka qenë miratimi i legjislacionit për transplantimin e organeve.

Në Klan Kosova, ai ka treguar se i njëjti projektligj është tërhequr nën dyshimet se mund të hapet mundësia për keqpërdorime të jashtëzakonshme që mund ta rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe cenojnë autoritetin e vendit.

“Unë asnjëherë nuk kam pasur takim apo shkresë zyrtare nga EULEX apo ndonjë trup tjetër ndërkombëtar në Kosovë i cili ka pasur kërkesë për tërheqjen e projektligjit në fjalë”.

“Ju e dini se MSH punon ngushtë me Komisionin Parlamentar për Shëndetësinë në procedurat e miratimit të ligjeve dhe natyrisht se ne kemi pasur konsultime të shpeshta mes nesh”.

“Komisioni merr mendime dhe opinione të vendimmarrësve të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë në procesin e amandamentimeve të projektligjit”.

“Kam qenë i informuar se ka pasur vërejtje nga ana institucioneve ndërkombëtare lidhur me këtë projektligj në kuptim se Kosova ende nuk është e gatshme për të zbatuar këtë projektligj dhe se mund të hapet mundësia për keqpërdorime të jashtëzakonshme që mund ta rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ta cenojnë autoritetin e vendit”.

Agani e ka thënë se në atë kohë [2012-2014] ka ekzistuar edhe raporti i Dick Marty-t që e ka akuzuar udhëheqësin politik, Hashim Thaçin, për transplantim organesh.

“Ka qenë një farë aure që e ka rrethuar miratimin e këtij projektligji dhe në atë atmosferë Qeveria e Kosovës në konsultim të ngushtë me grupe parlamentare ka marrë vendin që në këtë moment të shkojmë me fazën e parë të zbatimit të këtij projektligji – nëse e shihni projektligjin për inde dhe qeliza është 95% i njëjti me atë për transplantim organesh”.

Të ngjashme