Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë, iu përgjigj anëtarit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiut për akuzat që ai i bëri duke përmendur disa raste, të cilat ai i ka quajtur keqpërdorime gjatë kohës sa Vitia ka qenë ministër i Shëndetësisë.
Duke filluar me mungesën e maskave dhe të pajisjeve të tjera, Vitia tha se nuk kanë folur asnjëherë me shifra, por që një situatë e tillë e papritur, është normale që ka pasur mungesë.
“Nuk e di saktë sa ka qenë numri i maskave, por i ka këto të dhëna administrata, mund të ua ofrojë kur të doni ju. Nuk kam thënë asnjëherë që kanë qenë 60 mijë maska, nëse nuk gaboj ka qenë një deputet i Republikës së Kosovës që e ka thënë këtë. Asnjëherë në paraqitjet e mia publike nuk kam deklaruar se janë kaq apo aq maska. As në diskutimet brenda ministrisë, nuk është përmendur numri, por është përmendur se kemi mungesë të maskave, të pajisjeve mbrojtëse, të respiratorëve, dhe jo vetëm, kemi mungesë edhe të alkoolit edhe shumë gjërave tjera”, tha Vitia.
Sa i përket lidhjeve me kompaninë “Agani”, Vitia tha se ka punuar për atë kompani gjatë viteve 2004 deri më 2007, gjë për të cilën tha se nuk e mbanë të fshehur dhe se sot nuk ka më asnjë raport me këtë kompani.
Kurse për të tjera kontrata dhe pyetje, Vitia tha se është problem në parim sepse shumicën e këtyre pyetjeve, edhe po ta dinte përgjigjen, do të ishte shkelje, sepse me ligj janë të përcaktuara hallkat e prokurimit.
“Ajo që mbajë mend, është se ka qenë një ofertë rreth 100 mijë euro që kanë qenë të alokuara që nga koha e ish-ministrit Uran Ismaili, ku sekretari më ka njoftuar se pavarësisht nevojave të mëdha duhet ta anulojmë atë kontratë, sepse ka fryrje shumë të mëdha të çmimeve dhe ky aktivitet me sa mbajë mend është anuluar dhe është rihapur prapë”, tha Vitia.
Për sa i përket disa kontratave që Vitia u akuzua nga Haxhiu se ka lidhur kontrata edhe pse Shërbimi spitalor Klinik Universitar ka pasur kontrata valide, ish-ministri i Shëndetësisë tha se duhet të pyeten ata pse kanë kërkuar që të bëhen kontrata të tjera.
Vitia në fund tha se kërkon që nëse ka dëshmi që gjatë hallkave ka pasur njësia kërkuese deri te nënshkrimi i ministrit duhet të merren masa dhe të hetohen.
“Për fund po e përsëris të gjitha këto pyetje janë jashtë diskrecionit nëse ka dëshmi të tilla që gjatë hallkave të sistemit nga njësia kërkuese deri te nënshkrimi i ministrit duhet të merren patjetër të gjitha masat”, u shpreh Vitia.