Ish-ministrja e Integrimit Evropia, Mimoza Ahmetaj sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave, për të cilën ajo tha se është më së paku meritë e kësaj qeverie.
Ajo është shprehur se Kosova disa herë është shantazhuar me pezullim të vizave, siç tha ajo, për shkak të veprimeve të pamatura.
“Çështja e liberalizimit të vizave më së paku është meritë e kësaj qeverie, përkundrazi ka qenë kjo parti dhe parti të tjera të cilat vite më herët në vazhdimësi e kanë mbajtur Kosovën peng dhe për shkak të kryeneçësisë dhe veprimeve të tyre, duke e përfshirë edhe ndezjen, kalljen e parlamentit është shtyrë disa herë liberalizimi, derisa përfundimisht erdhëm tani”, tha ajo.
Tutje, Ahmetaj u shpreh se edhe çështja e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ka qenë, siç tha ajo një territor i përgatitur.
“Ne edhe vjet e kemi parë, në disa raste Kosova është shantazhuar se do t’i pezullohet çështja e liberalizimit, pikërisht për shkak të veprimeve të pamatura. Çështja e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës poashtu ka qenë një terren dhe territor i përgatitur në detaje”, është shprehur tutje ajo.