Ish-ministrja maqedonase Jankullovska lirohet nga akuzat në rastin “Fortesa”

Prishtinë | 13 Jan 2025 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore e Shkupit vendosi më 13 janar që të lirojë nga akuzat Gordana Jankullovskan, për rastin “Fortesa”, që ka të bëjë me shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit, të cilat konsiderohen të paligjshme dhe të paautorizuara.

Jankulloska, e cila shërbeu si ministre e Punëve të Brendshme (MPB), nga gushti 2006 deri në maj 2015, u lirua në mungesë të provave që “vërtetonin përfshirjen e saj në asgjësimin e pajisjeve”.

“E akuzuara Jankulloska lirohet nga akuza sepse prokurori publik nuk ka dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm se e akuzuara e ka kryer veprën për të cilën akuzohet”, tha gjykatësi Ilija Trpkov.

Në të njëjtën lëndë, gjykata shpalli fajtor Toni Jakimovskin, duke e dënuar me tre vjet burgim – duke ia llogaritur periudhën që ka qëndruar në paraburgim – Valentina Simonovskan, e cila mori një dënim me kusht prej dy vjetësh, nëse gjatë pesë vjetëve të ardhshme nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Për veprat e njëjta, me 9 dhe 14 vjet burg, janë dënuar edhe Nikolla Boshkovski, ish punonjës në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), si dhe Goran Grujevskin, shefin e kabinetit të ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov.

Grujevskin dhe Boshkovskin u gjykuan në mungesë, pasi në qershor të vitit 2017 u arrestisën nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Greqisë.

Të akuzuarit u shpallën fajtorë për shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit të komunikimeve, me qëllim fshehjen e gjurmëve. Me këto veprime, ata sipas autoriteteve gjyqësore, i kanë shkaktuar dëme shtetit në vlerë prej 1 milion e 418 mijë euro.

Gjykatësi Trpkov, vendosi që Grujevski, Jakimovski dhe Boshkovski në afat prej tre muajsh ta kompensojnë dëmin e bërë në shumë prej 87.422.668 denarë.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, janë ndjekur në mënyrë të paligjshme 4.286 numra telefoni (politikanë, gazetarë, qytetarë) për të cilët nuk ishin lëshuar fare urdhra nga gjyqësori.

Çështja me përgjimet e paligjshme, “Fortesa” dhe “Target-Fortesa” filloi në qershor të vitit 2017. Në to ishte i përfshirë edhe Mijallkov.

Megjithatë, pas ndryshimeve në Kodin Penal të vitit 2023, që parashikojnë vjetërsimin e rasteve të korrupsionit të lartë, veprat për bashkim kriminal dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, për të cilat ishte akuzuar Mijalkov, u shpallën të vjetruara.

Trpkov i quajti këto ndryshime “një ndërhyrje në gjyqësor”.REL

Të ngjashme