Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, njëherësh edhe ish-ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka kundërshtuarashpër vendimin e përgjysmimit të çmimeve të biletave në transportin ndërurban nga ana e Qeverisë Kurti.
Bajrami, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të saj në ‘Twitter’, e ka cilësuar si “lojë të Qeverisë” shfuqizimin e këtij vendimi, teksa i ka quajtur udhëheqësit qeveritarë si “praktikantë”.
“Loja e Qeverisë me popullin – shfuqizon vendimin për përgjysmimin e biletave – tallet me studentë, invalidë e pensionistë”, ka shkruar ajo.
“Shfuqizimi i vendimit për përgjysmimin e çmimeve të biletave për disa kategori është lojë e zyrtarëve praktikantë të Qeverisë. Siç e kam thënë në fillim se ai vendim ishte i pazbatueshëm e përsëris edhe sot se para vendimit do të duhej të merreshin një sërë masash për të mbajtur në fuqi një vendim, i cili ishte në të mirë të qytetarëve por që ishte i pazbatueshëm nga kompanitë e transportit”, ka vazhduar më tej Bajrami.
Ndryshe, gjatë së premtes zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për shfuqizimin e vendimit të përgjysmimit të pagesës së biletave për disa kategori shoqërore.
Më 11 mars, vetë zëvendësministri Durmishi kishte njoftuar për vendimin për përgjysmimin e çmimit të biletave të autobusëve ndëruban për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, infalidët e punës dhe pensionistët.