Ish-noteri i akuzuar për korrupsion kërkon të lirohet nga akuza, Prokuroria kërkon dënimin e tij

Prishtinë | 15 Kor 2024 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Në fjalën përfundimtare të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, ish-noteri Bashkim Stavileci ka kërkuar të lirohet nga aktakuza për korrupsion, kurse prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj dhe pala e dëmtuar, kërkuan që Stavileci të dënohet sipas ligjit dhe të anulohen të gjitha veprimet që ishin marrë në këtë rast nga ai.

Bashkim Stavileci, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës së noterit në zyrën e tij në Pejë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për personin tjetër-shitësin Musa Kuqi, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Noterinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se në rastin e përfundimit të lëndës që është objekt i akuzës, nuk kishte pasur asnjë interes, asnjë motiv dhe asnjë qëllim që ta favorizojë apo ta dëmtojë ndonjërën nga palët kontraktuese.

“Kontratën për shitjen e paluajtshmërisë e kam përpiluar në bazë të dokumenteve që kanë arritur në zyrën time noteriale dhe në tërësi jam përmbajtur rregullave ligjore të përpunimit material të dokumeteve. Prandaj, jam plotësisht i pafajshëm dhe propozoj që procedura penale kurndër meje të pezullohet”, tha i akuzuari Stavileci.

Prokurorja Disha-Haxhosaj, në fjalën përfundimtare ka thënë se pas analizimit të provave personale dhe materiale në këtë çështje penale, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari Bashkim Stavileci ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Disha-Haxhosaj tha se kjo është provuar me procesverbalin për shqyrtimin e trashëgimisë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së noterit, Stavileci nuk kishte vepruar konform detyrës së tij zyrtare, e cila gjë tha se ishte vërtetuar pas administrimit të aktvdekjes dhe certifikatave të lindjes së trashëgimlënësve, si dhe me provat tjera.

Ajo tha se vepra penale është kryer nga përgjegjësia e noterit, i cili kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Noterinë dhe Ligjin për Trashëgimi, duke i dëmtuar fillimisht Marina, Milanka, Milica, Millorad Dujoviq dhe të dëmtuarin tjetër, blerësin e paluajtshëmrisë Lulzim Borincaj.

Andaj, prokurorja propozoi që të gjitha aktvendimet mbi trashëgiminë dhe veprimet tjera të ndërmarra nga noteri Stavileci të anulohen dhe i njëjti të shpallet fajtor dhe të gjykohet sipas ligjit.

Fjalës përfundimtare të prokurores iu bashkëngjitën edhe të autorizuarit e të dëmtuarve, avokatët Sokol Mushkolaj dhe Osman Cucoviq, të cilët kërkuan dëmshpërblimin dhe që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Stavileci, avokati Bujar Bërdynaj, mbeti pranë fjalës përfundimatare të dorëzuar më shkrim.

Avokati tha se Prokuroria aktakuzën e ka ngritur aktakuzën në bazë të shkeljes së Ligjit mbi Noterinë, andaj i propozoi gjykatës që të mbrojturin e tij ta lirojë nga aktakuza sepse nuk ka prova që të argumentojnë që i njëjti ka shkelur Ligjin mbi Noterinë.

Ndërsa, i akuzuari Bashkim Stavileci, e mbështeti fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 19 shtator 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Bashkim Stavileci, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës së noterit në zyrën e tij në Pejë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për personin tjetër-shitësin Musa Kuqi, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Noterinë.

Sipas akuzës, ai kishte mundësuar përpilimin e kontratës për shitblerjen e patundshëmrisë në mes të shitësve Milan Radmilo Dujoviq, Milica Zivota Dujoviq, Marina Vukasina Dujoviq dhe Milanka Vukasina Terziq, të cilët i ka përfaqësuar Musa Kuqi, në bazë të autorizimit bartës të vërtetuar nga noterja Nina Shtiglic në Beograd, në njërën anë dhe blerësit– të dëmtuarit Lulzim Borinca, Faruk Hajrizi dhe Sevdije Ismajli në anën tjetër, duke ia shitur pronën për shumën prej 90 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Stavileci edhe pse ka pasur për detyrë, nuk e ka konstatuar se autorizimi bartës, nuk është në emër të Milanka Terziq, siç është cekur në atë, por në emër të Milan Dujoviq dhe bazuar në këtë fakt, Musa Kuqi nuk ka pasur autorizim nga ana e Milanka Terziq për shitjen e patundshmërisë e as për realizimin e trashëgimisë.

Aktakuza thotë se përkundër kësaj, i pandehuri e përpilon dhe e noterizon kontratën e cekur, për shitblerjen e patundshmërisë edhe pse në rastin e noterizimit të kontratës autorizimi bartës ka qenë në emër të Milanka Dujoviq, e jo në emër të Milanka Terziq siç e kishte cekur i akuzuari në kontratën e shitblerjes dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit-blerësit Lulzim Borincaj në shumën prej 90 mijë euro.

Të ngjashme