Ish-pjesëtari i UÇK-së ende në arrati nga Specialja, nuk i dihet vendndodhja

Prishtinë | 13 Dhj 2018 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Remzi Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zgjodhi të mos i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale për intervistim.

Me të marrë këtë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë, Shala, u largua nga shtëpia e tij, shkruan lajmi.net.

Teksa familjarët e tij thonë se nuk e dinë se ku ka shkuar Shala, një mik i tij i ka thënë lajmi.net se i njëjti ka dalë jashtë Kosovës.

Madje ai thotë se nuk ka kontaktuar me të që nga dita kur ai është larguar.

E informacione për të nuk ka as avokati i tij, Natal Bullakaj.

Ai sot për lajmi.net tha se që nga dita kur Shala ka marrë ftesën nga Gjykata Speciale, nuk ka pasur më kontakte me të.

“Nuk kam pasur kontakte me të që nga dita kur ai ka marrë ftesën nga Gjykata Speciale. Familjarët e vetë nuk e dinë se ku është. Unë kam apeluar ku do që të jetë të paraqitet, sepse ai duhet ta dëshmojë pafajësinë e vet, mirëpo jo në këtë formë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse janë njoftuar organet e rendit, lidhur me arratisjen e tij, Bullakaj tha se me siguri një gjë e tillë ka ndodhur, sepse të gjitha institucionet e sigurisë janë njoftuar për këtë rast, qoftë nga mediat, qoftë nga persona të ndryshëm.

Kujtojmë, se ftesat nga Gjykata Speciale tashmë janë bërë publike për gjashtë ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Aty përfshihen edhe dy figura të profilit të lartë të UÇK-së, si Rrustem Mustafa e Sami Lushtaku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme