Albert Berisha, i dënuar me 3.5 vjet burg për “Pjesëmarrje në luftërat në Siri”, ka arritur që të hapë Institut për Siguri dhe Integrim me lejen e Qeverisë së Kosovës, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Ish-pjesëtari i “Shtetit Islamik” (ISIS), Albert Berisha, nga Prishtinë, i cili qysh në vitin 2013 kishte bërë thirrje për krenarinë e të qenit xhihadist, ka marrë leje nga Qeveria e Kosovës për ta “luftuar radikalizmin”.
Të gjithë e kujtojnë si ish-luftëtarin e ISIS-it, i cili pas kthimit në Kosovë doli në medie për të thënë se është penduar që kishte marrë rrugën drejt “Tokës së Shamit”.
I njëjti në shkrimin e tij, të botuar në vitin 2013 (“Heronjtë ‘e Spanjës’ dhe ‘tradhtarët’ e Sirisë”) në gazetën “Besimtari” bën thirrje për xhihad dhe për krenarinë e të qenit shqiptar muxhahedin ( http://besimtari.com/heronjte-e-spanjes-dhe-tradhetaret-e-sirise/ )
“E njëjtë është situata edhe me shqiptarët që luftojnë në Siri, ata kanë një ideal, kanë një qëllim, kanë një obligim, kanë një rrugë të cilën e trasojnë me krenari, kanë një xhihad për të bërë që i pëlqeu apo s’i pëlqeu Halilit apo dikujt tjetër, kjo është duke ndodhur. Shqiptarët janë muxhahedina krenarë që bëjnë xhihadin kur është e nevojshme”, pati shkruar Berisha.