Ish-hetuesi policor Lavdim Osmani, gjatë dhënies së mbrojtjes të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se i akuzuari tjetër, ish-hetuesi policor Lutfi Menxhiqi, i kishte thënë t’i merrte disa para nga dëshmitari bashkëpunues D.H., duke pretenduar se i duheshin për vajzën e sëmurë.
“Edhe më thotë, a po ma kryen ni punë se e kam çikën shumë smutë se edhe dje s’mujta m’u taku me D (dëshmitari bashkëpunues D.H), po pash qat çikë (në emër), dil se ka me m’i pru D (dëshmitari bashkëpunues D.H), do pare se po m’vyjnë për çikë se e kam shumë smutë… njo t’dytën thojke dojnë me m’dalë ment e kresë”, tha i akuzuari Osmani.
Në këtë rast Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Osmanit, i akuzuari Menxhiqi i kishte thënë që dëshmitari bashkëpunues D.H do t’ia jepte disa para dhe se kishte kërkuar nga ai që ditën e nesërme t’ia dërgonte në punë. Më pas, ai tha se ishte takuar në një kafe me D.H dhe i kishte treguar se çfarë i kishte thënë Menxhiqi.
Ndër të tjera, ai tha se derisa D.H ishte duke i numëruar paratë në veturë (shumën e të cilave tha se nuk e di), dy persona me armë ishin drejtuar tek vetura e tyre nga prapa dhe një përpara dhe se ky iu kishte thënë që ishte polic.
Njëri prej atyre personave, i akuzuari Osmani thotë se e kishte sharë dhe i kishte thënë “duart lart hajn”, duke ia drejtuar armën.
Osmani shtoi se ata kishin qenë zyrtarë të Inspektoratit Policir dhe se njëri nga ta i kishte thënë se “ti ja ke marrë Currit 100 mijë euro për t’ia mbyllur rastin”.
Më pas, tha se kishin filluar ta kontrollojnë dhe pastaj ia kishin vënë prangat dhe njëri prej tyre i kishte thënë se i akuzuari “është spiun i Kadri Veselit”.
I akuzuari Osmani tha se paratë kishin mbetur tek dëshmitari bashkëpunues D.H, duke shtuar se ai nuk kishte pasur asnjëherë ndonjë rast me lojëra të fatit dhe se asnjëherë nuk e kishte takuar këtu të dëmtuarin Mentor Maqani.
Sipas Osmanit, i akuzuari Menxhiqi çdo veprim të tij hetimor ia kishte treguar dikujt përmes dy numrave të telefonit, të cilët ai i përmendi në seancë.
Paraprakisht, Osmani tha se Menxhiqi i kishte thënë që të takohet me Driton Berishën si zyrtar i AKI-së dhe me dëshmitarin bashkëpunues D.H për disa informata lidhur me lojëra të fatit.
Osmani deklaroi se atë ditë me kërkesë të të akuzuarit Menxhiqi ishte takuar me dy të lartpërmendurit dhe me dy persona Arben Kamberi dhe Ibrahim Sinani që ishin paraqitur si zyrtarë të AKI-së.
Sipas tij, Kamberi dhe Sinani i kishin thënë se kishin autorizim për mbledhje të informatave lidhur me disa raste të pastrimit të parave dhe lojërave të fatit, ndërsa që ata i kishin thënë se dëshmitarin bashkëpunues D.H e paguanin si informator.
I akuzuari Osmani tha se kishte menduar që ky takim kishte qenë zyrtar dhe se ai kishte menduar se i akuzuari Menxhiqi kishte bashkëpunuar zyrtarisht me të.
Meqenëse ishte koha e pauzës dhe gjykatësja Sulltane Hoti kishte një rast me urdhërarrest dhe se anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, seanca e sotme u ndërpre.
Seanca e radhës pritet të vazhdojë në tetor të këtij viti, pasi që më 27 shtator kur ishte paraparë mbajtja e seancës tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi, avokati Skender Musa ishte i angazhuar në një rast tjetër.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 14 shkurt të vitit 2022, kishte shpallur fajtorë Osmanin dhe Menxhiqin duke i dënuar në total me 12 vite burgim dhe me 8 mijë euro gjobë.
Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 maj 2023, ka marrë vendim, përmes të cilit ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Menxhiqit dhe Osmanit.
Vendimi i Apelit për këtë çështje erdhi pas mbajtjes së seancës në këtë gjykatë më 5 prill 2023, ku edhe ishin shqyrtuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, për Lavdim Osmanin, avokati Muhamet Mujaj dhe për Lutfi Menxhiqin, avokati SkenderMusa.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet nga Driton Berisha dhe D.H, në mënyrë që mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.