Ish-policja nga Afrika Jugore, Nomia Rosemart Ndlovu, është shpallur fajtore për vrasjen e pesë familjarëve dhe të dashurit të saj në një rast që e ka tmerruar vendin.
Gjashtë personat u vranë mes viteve 2012 e 2018, shumica me ndihmën e një vrasësi me pagesë, në mënyrë që ish-policja të mund të përfitonte nga pagesat e sigurimit jetësor, shkruan BBC.
Gjykata pritet t’ia caktojë dënimin muajin e ardhshëm. Ndlovu u shpall gjithashtu fajtore për tentim-vrasje të nënës së vet, Maria Mushwana, si dhe për mashtrim me sigurime, pasi dyshohet të ketë përfituar rreth 95.000 dollarë.
Gjatë procesit gjyqësor që zgjati tre muaj, prokurori tregoi se si ish-policja në mënyrë të vazhdueshme kishte blerë sigurim jetësor e sigurim funerali për të afërmit e saj e pastaj i kishte vrarë.
Personi i parë që u vra ishte fqinja e saj, Madala Homu, në mars të vitit 2012. Pastaj u vranë motra e saj, i dashuri i saj, mbesa dhe dy nipat. Viktima e fundit, Brilliant Mashego, vdiq në janar të vitit 2018.
Në shumicën e rasteve, ajo angazhoi vrasës me pagesë për t’i kryer vrasjet, por më 2013 vetë e helmoi dhe e ngulfati motrën e vet, Audrey Somisa Ndlovu.
Vargu i vrasjeve fatmirësisht u ndal, kur ajo kontaktoi me një person për ta angazhuar që t’i vriste motrën e saj dhe pesë fëmijët që kishte ajo në mars të vitit 2018.
Burri që u angazhua nga ish-policja e informoi policinë, që organizoi një operacion përgjimi për ta incizuar të dyshuarën duke folur për planet e veta.
Ndlovu dëgjohet duke thënë se si donte që këta gjashtë persona t’i digjte për së gjalli në shtëpi dhe se i nevojiteshin paratë.
Gjatë gjykimit, e akuzuara i ka mohuar krimet dhe shumë prej 50 dëshmitarëve të autoriteteve i ka akuzuar për gënjeshtra. Megjithatë, prokurori ka paraqitur dëshmi që tregonin se si ish-policja ka qenë me viktimat e saj para vdekjes së tyre dhe se si ka përfituar nga tragjeditë më pas.