Ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, nuk po duket ide e mirë për ish-presidentin e Kroacisë Stipe Mesiq.
Sipas tij, një ide e tillë mund të shkaktojë një katastrofë që do provokonte luftë të re.
Këto deklarime ish-presidenti kroat i dha për të përditshmen austriake, Der Standard, derisa ka potencuar se arsyetimi i shteteve për mbrojtje të pakicave gjithmonë ka nxitur luftërat në Evropë.
”Kjo nuk është një ide e mirë, sepse arkitektura e Evropës është kompletuar me Pavarësinë e Kosovës”.
”Gjithçka tjetër mund të dërgojë drejt një katastrofe të re, një lufte të re. Luftërat në Evropë gjithmonë kanë filluar me arsyetimin se shtetet dëshironin t’i mbronin pakicat e tyre në vendet e tjera”.
”Por, kjo ishte vetëm një arsye, ngase qëllimet e tyre ishin territoret”, ka thënë ai.
Sipas tij, një hapje e kufijve do të mund të ishte një ide më e mirë, ngase siç thotë ai serbët dhe shqiptarët nuk do të brengoseshin se në cilin shtet jetojnë.
”Një francez mund të jetojë në të dy anët e kufirit falë ligjeve të njëjta dhe të barabarta. Nëse hapim kufijtë, nuk do të kishte rëndësi për një shqiptar apo serb se në cilën anë do të jetonte”.
Mesiq po ashtu foli edhe për të ashtuquajturit kufij etnik mes shqiptarëve dhe serbëve, për të cilët tha se është ide e vjetër dhe nacionaliste.
Ish-presidenti kroat Stipe Mesiq konsideron se nacionalizimi detyrimisht dërgon në fashizëm, ideologji që sipas tij duhet të ndalohet në Evropë.