“Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi ishte një proces i gjatë me vite mes dy vendeve miqësore dhe më pas u nënshkrua nga unë dhe Hashim Thaçi”, thotë Filip Vujanoviç, ish-presidenti i Malit të Zi, prandaj ai e kishte vështirë ta kuptonte se çfarë ndodhte në Kosovë që Parlamentit nuk e ratifikonte dot marrëveshjen dypalëshe.
Vujanoviç – që postin e presidentit malazez e mbajti për plotë 16 vjet (nga viti 2002 kur ishte president në detyrë e deri në vitin 2018) – deklaron se më pas e kuptoi se në Kosovë u keq-prezantua procesi i demarkacionit.
Ai ka hallin se as njerëzve nuk ua shpjeguan si duhet se çfarë saktësisht i binte caktimi i linjës kufitare mes dy vendeve.
“Nuk ka asnjë shembull të krijimit të një shënjimi të kufirit shtetëror për ta sinkronizuar atë me pronën private të disa personave. Ata që jetojnë pranë kufirit nuk duhet të kenë ndonjë vështirësi në përdorimin e pronës së tyre në vendet fqinje, përkundrazi”, thotë Vujanoviç.
Filip Vujanoviç është nga ata politikanët ballkanas që i ka parë të gjitha. I lindur dhe rritur në Beograd, por karrierën politike e zhvilloi krejtësisht në Mal të Zi.
E nisi në vitin 1993, kur presidenti federal i Malit të Zi, Momir Bulatoviç, e ftoi t’i bashkohej në Partinë Demokratike të Socialistëve.
Më vonë do të bëhej Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Milo Gjukanoviç, kur ky i fundit ende ia rrihte shpatullat Slobodan Millosheviç-it (1993-96) dhe më pas përsëri ishte ministër i Brendshëm, kur nga 96-ta i Gjukanoviç vendosi t’ia kthente shpinën Millosheviç-it dhe të ndryshonte anë krejtësisht.
Përkundër se i lindur në Beograd, Vujanoviç gjithmonë ishte treguar shumë pro-malazez dhe ishte një nga figurat, bashkë me Gjukanoviç, që udhëhoqi kampanjën pro ndarjes nga Serbia në vitin 2006.
Edhe në 2008 ishte Vujanoviç që zyrtarisht do ta njihte Kosovën shtet të pavarur si president i Malit të Zi.
Në këtë intervistë për Albanian Post, Vujanoviç, pashmangshëm, ka folur për Demarkacionin që vetë e nënshkroi, por edhe për kryeministrin e parë shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Thotë se ka shumë punë për para, megjithatë “jam i lumtur që Mali i Zi, për herë të parë që nga rivendosja e shtetësisë, ka një kryeministër nga një pakicë kombëtare”, tha ai në një intervistë për Albanian Post.
Vetë Vujanoviç ka mbajtur të gjitha postet e rëndësishme në politiken malazeze. Ishte ministër, kryeministër, kryetar-parlamenti, ushtrues detyre i Presidentit dhe në fund president.
Ai ka njohje të gjerë për proceset politike në Ballkan, prandaj është pyetur edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe nismat rajonale. Patjetër për dialogun Kosovë – Serbi dhe si e sheh ai zgjidhjen finale mes dy shteteve fqinje.