Ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i ka fajësuar të tjerët në klub për blerjen e Ousmane Dembeles në vend të Kylian Mbappes në vitin 2017.
Bartomeu, i cili dha dorëheqje vitin e kaluar pas një hetimi ligjor ndaj tij, ka thënë se stafi i trajnerëve kishte këshilluar që të blihej Dembele me arsyetimin se anësori do të bënte punë më të mirë në hapjen e lojës.
Por që prej atëherë, Mbappe e ka përmbushur plotësisht potencialin e tij, derisa karriera e Dembeles ka marrë teposhtën për shkak të lëndimeve të shpeshta kryesisht.
“Blerjen e Mbappes e kishim në tavolinë, por trajnerët e parapëlqyen Dembelen sepse e donin një lojtar i cili do ta hapte lojën”, tha Bartomeu për AS.
Në lidhje me kritikat për blerjen e Dembeles dhe Philippe Coutinhos, ai tha: “Disa prej blerjeve nuk i kanë përmbushur pritjet, lojtarë që kanë kushtuar shumë para, por këto janë gjëra që ndodhin në futboll”.
“Kur i blemë këta dy lojtarë, ata u duartrokitën nga të gjitha. Coutinho erdhi sepse po shkonte Andres Iniesta. Ai ishte lojtari më i mirë në Premierligë. Dembele erdhi pas largimit të Neymarit”, shtoi ai.
Dembele është i lënduar pasi e tërhoqi muskulin në Euro 2020 në verë. Ai i nisi stërvitjet javën e kaluar por nuk ka ndonjë datë për rikthimin e tij në ekipin e parë.
Marrëveshja e tij me Barcelonën mbaron në verë.