Diten e premte, stafi i The Ideas Partnership (TIP) në Fushë Kosovë priti në vizitë ish-Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe drejtorin e Fondacionit Jahjaga, Alban Bokshi.
Në këtë vizitë, znj. Jahjaga shprehi gatishmërinë për të ndihmuar organizatatat siç është The Ideas Partnership në projekte të përbashkëta me qëllim fuqizimin e grave dhe vajzave, edukimin e fëmijëve si dhe programet për orientim në karrierë për të rinjtë nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian.
Jahjaga dhe Bokshi u pritën nga stafi i The Ideas Partnership, me në krye drejtoreshën ekzekutive, Elizabeth Gowing, njëkohësisht bashkëthemeluese e organizatës, të cilët i njoftuan me punën e organizatës në fushën e edukimit, shëndetësisë, dhe kujdesit social me këto komunitete.
Ata patën mundësinë të vizitojnë aktivitetin tonë të shkrim-leximit, aktivitet ky i cili ofrohet çdo javë në qendrën tonë në Fushë Kosovë për gratë nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian, ku më këtë rast znj. Jahjaga edhe njëherë ritheksoi qëndrimin e saj rreth punës që duhet të bëhet në mbështetjen dhe fuqizimin e grave në shoqërinë kosovare.
Ajo vuri theks të veçantë mbi rreziqet e martesave të hershme, një fenomen i përhapur në këto komunitete, duke theksuar punën e TIP në vetëdijësimin e gjeneratave të reja rreth këtij fenomeni dhe duke ofruar përkrahje në projekte të tilla.
Ish-Presidentja e Kosovës gjithashtu vizitoi kopshtin e The Ideas Partnership në Fushë Kosovë duke u takuar me fëmijët dhe stafin e kopshtit. Ajo pati rastin të takoj dhe bisedoj ngushtë me njërën nga asistentet e kopshtit, Nerxhivane Osmani, pjesëtare e komunitetit Ashkali, e cila tashmë e sa vite është pjesë e aktiviteteve të The Ideas Partnership si vullnetare e tashmë edhe si asistente në kopsht.
Jahjaga me shumë kënaqësi dëgjoi rrëfimin e Nerxhivanes, tashmë studente në Universitetin e Prishtinës, dhe qëllimin e saj për të ngritur vetëdijësimin tek vajzat e reja të këtyre komuniteteve mbi rëndësinë e shkollimit dhe planifikimin e karrierës që ato dëshirojnë.
Jahjaga dhe Bokshi përfunduan vizitën e tyre në qendrën e The Ideas Partnership duke ofruar mundësi të ngushta bashkëpunimi me qëllim të fuqizimit të grave dhe të rinjëve nga grupet e margjinalizuara në Kosovë.