Ish-punëtorët e Fabrikës së Amortizatorëve të zhgënjyer, privatizimin e quajnë skandaloz

Prishtinë | 15 Dhj 2020 | 13:40 | Nga Erdonita Hebibi

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka intervistuar kryetarin e Sindikatës së pavarur të Fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë, Ramush Berisha, raporton Ekonomia Online.

Berisha tha që jemi shumë të zhgënjyer me gjithë procesin e privatizimit, ngase shumë familje kanë mbetur pa të ardhura.

“Jemi tepër të zhgënjyer lidhur me privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve, pasi kjo fabrikë ka pasur shumë punëtorë dhe ka mbajtur shumë familje ku 9000 familje kanë mbetur pa bukë goje”.

Ai tha që ky është një gabim skandaloz, pasi sipas tij, institucionet kanë lejuar që ky proces të ndodh pa kritere dhe pakontroll.

“Zemra më dhemb kur shoh që ajo fabrikë është privatizuar dhe ky është një gabim skandaloz”.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, e ka pyetur Berishën se si është dashur që të bëhet privatizimi.

Kryetari Berisha tha sa kanë kërkuar që të konsultohen, ngase sipas tij, kjo fabrikë ka pasur të ardhura e fitme të mëdha, raporton EO.

“Na kemi kërkuar që të ulemi dhe të bisedojmë, dhe fabrika të fillojë punën normale. Fabrika ka pasur të ardhura të mëdha dhe kemi llogarit që Kosova ka me ja pa hajrin kësaj fabrike”.

Të ngjashme