Prokurorët japonezë kanë akuzuar edhe zyrtarisht, ish-shefin e kompanisë, Nissan, Carlos Ghosn për keqpërdorim financiar, duke mos raportuar pagën e tij të vërtetë.
Ata po ashtu kanë lëshuar kundër tij një urdhërarrest të ri, çka nënkupton se manjati ka mundësi të kalojë festën e Krishtlindjeve në burg, transmeton AFP.
Ghosn, 64 vjeçar, është mbajtur në paraburgim prej 19 nëntorit për dyshimet se ai nuk i ka deklaruar të gjitha të ardhurat, duke fshehur rreth 44 milionë dollarë në periudhën kohore 2010-2015.
Autoritetet më pas e kanë riarrestuar atë të hënën për pretendime tjera, duke thënë se ai nuk ka raportuar të ardhurat e tij edhe për katër miliardë dollarë tjerë në tre vjetët e fundit.
Sipas ligjit japonez, të dyshuarit mund të riarrestohen disa herë për pretendime të ndryshme, duke iu lejuar prokurorëve që t’i marrin ata në pyetje për kohë më të gjatë, një sistem që është kritikuar nga spektri ndërkombëtar.
E hëna ka qenë dita e fundit që prokurorët kanë mundur të mbajnë Ghosnin, mirëpo ai tani është arrestuar sërish dhe ata kanë mundësi ta marrin në pyetje edhe për 22 ditët në vijim.
Përveç akuzave ndaj Ghosnit, prokurorët kanë paditur edhe vetë kompaninë Nissan, pasi sipas mediave lokale, kjo kompani ka miratuar dokumentet zyrtare në të cilat nuk është treguar paga e tij e vërtetë.
Ghosn ka mohuar akuzat dhe është thënë të jetë në një disponim “luftarak”, sipas disa burimeve në kompaninë Renault, të cilën ai ende e udhëheq, pavarësisht pse gjiganti francez i veturave ka emëruar një shef të përkohshëm.