Kosova mund të përballet me një ngërç të ri politik kur është koha për formimin e Qeverisë. Lidhur me këtë, njohësit e çështjeve juridike thonë se për formimin e qeverisë janë disa skenare që mund të ndodhin.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njëherësh eksperti për çështje juridike, Mazllum Baraliu ka konfirmuar se koalicioni PAN e ka mundësinë e para që ta formojë qeverinë.
Mirëpo, sipas tij, nëse e njëjta dështon atëherë kjo do t’i kalojë me automatizëm ndonjë grupacioni tjetër politik.
“Koalicioni PAN në qoftë se mundet ai e ka radhën duke u nisur sipas nenit 95 të kushtetutës së Republikës së Kosovës e ka të drejtën që ta formojë qeverinë dhe të bëjë një kabinet prej 61 deputetësh”, ka thënë Baraliu.
Më tej, profesori universitar ka shpjeguar edhe rastin se nëse as koalicioni i dytë apo partia e dytë nuk mund ta formojnë qeverinë, cili grup tjetre mundet ta bëjë.
Ai thotë se është një e drejtë diskrecionale e presidentit të Republikës që t’ia jap mandatin grupacionit të tretë politik për formimin e qeverisë. Në rast se edhe kjo nuk bëhet, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“I pari subjekt politik që ta formojë qeverinë i takon e drejta koalicionit PAN ta japin propozimin te presidenti dhe ai të ja aprovoj këtë të drejtë dhe ti mandatojë që ata vetë të formojnë qeverinë. Nëse nuk munden, atëherë i takon çdo subjekti politik apo grupacion politik në këtë rast koalicionit LDK-AKR-Alternativa nëse normalisht arrijnë që t’i kenë numrat. Nëse jo, atëherë koalicionit eventual paszgjedhor që mund të jetë Vetëvendosja si partia më e madhe që ka dalë numerikisht dhe LDK-ja me ata të vetë e kështu me radhë, pra me minoritetet ose edhe me ndonjë parti politike më të vogël. Pra kush arrin i dyti si parti e dytë pas asaj PAN-it si koalicion i pare mund ta bëjë dhe duhet ta bëjë qeverinë në afat prej 15 ditësh”, ka thënë Baraliu.