Njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Milazim Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka komentuar situatën aktuale në këtë parti dhe kandidaturat e shpaluara për kryetar.
Tutje Krasniqi sa u përket tre kandidatëve për kryetar të cilët edhe janë zyrtarizuar, Lufti Haziri, Anton Quni e Lumir Abdixhiku, potencoi që secili mund t’i jap një frymë të re kësaj partie, pa anuar te njëri kandidat.
Sipas tij, nuk është privilegj marrja e drejtimit të kësaj partie në këto kushte, prandaj ai thotë se e vlerëson vullnetin e atyre që kanë kandiduar.
“Kush do të jetë kryetar në fakt vendos Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe jo ne, kështu që ne na mbetet vetëm të presim se cili do të jetë vullneti i delegatëve të atij Kuvendi. Këto tre figura që ju përmendet, secila ka specifikat e veta, unë e vlerësoj secilin që kandidon për shkak se LDK-ja është në krizë të thellë dhe për këtë arsye nuk është ndonjë privilegj i madh marrja e drejtimit të saj në këto kushte kur ajo është në këtë gjendje shumë të vështirë, prandaj them që e vlerësoj vullnetin”.
“Tani krejt varet profilet e tyre janë tërësisht të ndryshme, fjala vjen Anton Quni do të mund të ishte një figurë shumë e dobishme për LDK-në në fillet e pas-luftës në vitin 2000-2001 kur LDK-ja akuzohej se ka sabotuar luftën dhe një figurë e tillë do të ndihmonte të kundërtën e asaj. Nëse LDK-ja aspiron që të ruajë strukturën e vet tradicionale, në atë rast më shumë i përshtatet Lutfi Haziri i cili është një veteran i LDK-së, një rugovist i thekur dhe një njeri që ka një ndikim në strukturat ekzistuese të partisë, por nëse LDK vendos të aspirojë që të kërkojë një elektorat të ri në të ardhmen mund të jetë figurë më e përshtatshme Lumir Abdixhiku që është një djalë i ri dhe ka një orientim më shumë rreth të rinjve. Pra krejt varet se cila do të jetë mençuria e LDK-së në këtë rast që të zgjedh në mes të këtyre tri opsioneve realisht të ndryshme”, tha Krasniqi.
Sa i përket reformave të LDK-së, Krasniqi tha janët të vonuar dhe se kjo parti po vazhdon të moszgjedh rrugën e duhur, çka po e thellon edhe më shumë krizën.
Madje ai thotë se kjo nuk është rruga për ta reformuar partinë, raporton EO.
“LDK-ja është e vonuar në aspektin e reformave tërësisht, unë qysh vitin 2000 jam larguar nga kjo parti i dëshpëruar për faktin që nuk ka pasur fare vullnet për reforma, ka qenë një barrikadim total, njerëz që më shumë kanë shikuar interesat personale dhe të pushtetit sesa interesin e partisë ajo pastaj pas vdekjes së Rugovës ka eskaluar jashtëzakonisht shumë me ato konfliktet në Kuvend, kështu që tash LDK-ja është në një situatë shumë të vështirë”.
“Unë besoj që kjo nuk është rruga për ta reformuar partinë. Rruga e duhur do të shihte zgjedhjet në të gjitha nivelet e partisë, dhe pastaj aplikimi i një parimi të zgjedhjeve një anëtar, një votë që është një parim demokratik, por ata kanë zgjedhur një metodë të shkurtër, një fasadim të krizës dhe kjo nuk do ta zgjidh problemin e krizës së LDK-së”, u shpreh tutje ai.
Ai beson në pjekurinë e LDK-së dhe anëtarëve të saj dhe sipas tij, duhet të ketë ndërgjegjësim dhe jo përçarje brenda partisë.
“Këtë nuk e di, dhe nuk do ta dëshiroja me të vërtetën. Unë shpresoj që ka pjekuri të mjaftueshme në atë parti, besoj që ka ndërgjegjësim të mjaftueshëm që kjo nuk është rruga për të shkuar tutje e pra duhet të krijohet një unitet i brendshëm veprues dhe një filozofi politike dhe nëse kjo bëhet pjesë e veprimit politik besoj që LDK-ja mund të kalojë krizën sepse ka një histori të bujshme dhe një mision të rëndësishëm në shtetndërtimin e Kosovës”, përfundoi Krasniqi.
Të dielën LDK-ja mban kuvendin zgjedhor, zgjedhje këto që mbahen pas dorëheqjes së kreut të kësaj partie, Isa Mustafa.
Udhëheqësia e kësaj partie dha dorëheqje pas rezultateve në zgjedhjet e 14 shkurtit, kur LDK-ja doli e treta.