Ish-trajneri i Interit, Simoni, vdiq në moshën 81-vjeçare

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Ish-trajneri i Interit të Milanos, Gigi Simoni, ka vdekur në moshën 81-vjeçare, ka njoftuar klubi të premten. Simoni është fitues i Kupës UEFA me ekipin që përfshinte brazilianin Ronaldo.

Simoni ka drejtuar skuadra të shumta në Itali, disa prej tyre më shumë se njëherë, e po ashtu CSKA Sofjen në Bullgari, në karrierën si trajner më të gjatë se 30 vjet.

Ai iu bashkua Interit para fillimisht të edicionit 1997\98, në të njëjtën kohë kur skuadra firmosi me Ronaldon nga Barcelona. Simoni udhëhoqi skuadrën drejt vendit të dytë në Serie A pas Juventusit dhe te triumfi në finale të Kupës së UEFA-s, ndaj Lazios me shifrat 3:0.

“Kam mësuar më shumë nga Ronaldo se që ka mësuar ai nga unë atë edicion”, kishte thënë Simoni, që ishte i sëmurë nga qershori i vitit të kaluar.

Ai ishte shkarkuar në nëntor të edicionit të ardhshëm pas rezultateve të dobëta, në të njëjtën ditë kur mori çmim si trajner i vitit.

“Mënyra e tij e jetesës, në jetë dhe në futboll, kurrë nuk ishte në majë. Futbolli i tij ka reflektuar këtë: ishte i përulur, funksional dhe i aftë për të shfrytëzuar maksimalisht atë që i ofrohej”, thuhet në komunikatën e Interit.

“Kështu e kujtojmë ne: me flokë të bardha, duke shijuar magjinë e Ronaldos me një buzëqeshje në fytyrën e tij, mbështjellë nga dashuria e tifozëve”.

Ai ka drejtuar edhe Genoan në tri raste, Napolin dhe Pisan në dy raste dhe Lazion, ndër të tjera.

Të ngjashme