Ish-ushtari britanik që luftoi edhe në Kosovë, flet për traumat që mori dhe si mbeti i pastrehë

Prishtinë | 24 Shk 2019 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Një ish-ushtar britanik i KFOR-it, që nuk ka dashur t’i bëhet emri publik, është shndërruar në policin e parë britanik pa shtëpi.

Sikurse edhe shumë të tjerë që rrezikojnë jetët e tyre për t’i mbajtur të tjerët të sigurt, edhe ky u diagnostikua me çrregullim të stresit post-traumatik më 2017.

46 vjeçari, baba krenar i tre fëmijëve, tregon se si pasojë e çrregullimit i kishte dështuar edhe martesa sepse, siç thotë ai, “u bëra i pamundur për të jetuar me mua dikush”. Më pas jeta e tij mori tatëpjetën dhe gjendja e tij vetëm sa përkeqësohej, raporton “Mail on Sunday”.

E shteti, siç shkruan ky medium, pa fije turpi mbylli sytë ndaj rastit të tij. Pas misioneve ushtarake në Kosovë, Irak e Afganistan, ai e vazhdoi shërbimin në Policinë Metropolitane të Londrës, por, nga momenti i diagnostikimit, ai mori pushim mjekësor dhe atë status vazhdon ta mbajë, por që, sipas grupit vullnetar që po merret me rastin e tij, ai është harruar krejtësisht dhe është lejuar “të marrë tatëpjetën”.

Muaji i kaluar për të ishte më i vështiri pasi që ka mbetur pa asnjë qindarkë në xhep. Në një intervistë për “The Mail on Sunday”, gjatë së cilës vazhdimisht e humbte përqendrimin, ai foli me hidhërim për braktisjen ndaj tij, dhe tha se besimi në Ushtri dhe Polici në esencë s’kanë shërbyer për asgjë dhe tani jeta e tij nuk ka ndonjë horizont më të madh sesa të gjejë ushqimin e radhës.

Ish-ushtaraku britanik ka folur edhe për misionin e tij në Kosovë gjatë luftës më 1999, ku thotë ta ketë kuptuar për herë të parë rolin e rrezikshëm që kishte marrë.

Gjatë hyrjes së trupave tokësore të NATO-s, forcat ushtarake serbe po tërhiqeshin, por derisa po e bënin këtë, ata shtinin në mënyrë sistematike dhe ekzekutonin këdo që gjenin. Trupat ishin futur në varreza masive, e në shumë raste kishin vendosur edhe mina.

“Kishin futur mjete shpërthyese të programuara të shpërthejnë posa të largohet një trup”, thotë polici.

“Ishte punë që të shkatërronte nervat. Në një rast, ishim bashkë me xhandarmërinë belge tek një varrezë masive në një fshat. Pasi i kishin vrarë burrat dhe i kishin varrosur, serbët i kishin nxjerrë sërish mbi dhè, dhe ua kishin ndryshuar rrobat për ta vështirësuar identifikimin. Asnjëherë nuk do t’i harrojë pikëllimin dhe dëshpërimin e grave dhe fëmijëve”, deklaron më tej ish-ushtari britanik i KFOR-it, transmeton Koha.net.

Por, ai thotë se kjo s’ishte më e keqja. Ekipi i tij kishte mbledhur copa të trupave të njerëzve të shpërndara gjithandej si pasojë e bombave.

“Ishte tmerruese dhe ato pamje më afektojnë edhe sot, por atëherë vetëm e kryenim punën”, ka rrëfyer ish-ushtari britanik që nuk ka dashur të identifikohet me emër.

Me gjithë punën e madhe që dikur kishte bërë, ai u bë ish-ushtari e polici i parë i pastrehë në Britani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme