Një gjykatë në Filipine e ka dënuar Imelda Marcosin me 42 vjet burgim për shkak të fshehjes së pasurisë dhe paaftësisë për ta dëshmuar prejardhjen e pasurisë së fituar. Sidoqoftë, gjasat janë të mëdha që zonja 89 vjeçare të mos shkojë në burg. Gjykata deklaroi se vendimi mund të dërgohet në apel dhe ekspertët ligjorë kanë vlerësuar se ajo mund ta kundërshtojë dënimin për shkak të moshës së shtyrë.
Thuhet se Imelda Marcos dhe familja e saj kanë përfituar shumë favore gjatë presidencës së Rodrigo Dutertes. Gjykata e shpalli atë fajtore për shtatë mashtrime financiare dhe secila prej tyre ishte e dënueshme me të paktën gjashtë vjet burgim. Përveç kësaj, vendimi i gjykatës e shkarkon automatikisht Marcosin nga pozita e kongresistes, të cilën e mban aktualisht dhe ia ndalon zgjedhjen në cilëndo pozitë tjetër publike.
Akuzat ndaj zonjës Marcos ishin ngritur që në vitin 1991, por procesi gjyqësor zgjati shumë për shkak se shumë dëshmitarë të mundshëm kishin ndërruar jetë ose ishin shumë të moshuar për të dhënë dëshmi. Në atë kohë, prokurorët e kishin akuzuar zonjën Marcos për krijim të llogarive bankare në Zvicër dhe për përfshirje në interes financiar me disa kompani në kohën kur ishte kryetare e Manilas, nga vitit 1978 deri në vitin 1984. Prokurorët kishin thënë se këto kompani të rreme i fshihnin të hollat që familja e të akuzuarës i kishte vjedhur nga qeveria.
Prokurorët e kishin paraqitur aktakuzën që në vitin 2015 por avokatët e zonjës Marcos me sukses i vonuan seancat, duke mos u paraqitur në gjykatë. Në anën tjetër, qeveria e Filipineve i ka kthyer me sukses rreth 658 milionë dollarë të cilat ajo i mbante në institucionet financiare në Zvicër. Sidoqoftë, zyrtarët besojnë se kjo shumë paraqet vetëm një pjesë të vogël të parave të vjedhura, e cila mendohet se është rreth 10 miliardë dollarë, shkruan “New York Times”.