Ish zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi përmes një postimi në facebook ka thënë se brenda javës çmimet e naftës, e bukës u rritën. Ai thotë se kjo rritje mund të rritet edhe më shumë pasi ecurit politike dhe të sigurisë vetëm sa po përkeqësohen e kjo domosdoshmërisht përcillet edhe me probleme në ekonomi.
“Brenda kësaj jave çmimet e naftës u rriten nga 1.32 cent në 1.58 cent, çmimi i bukës u rrit nga 0.35-0.40 cent në 0.50 cent. Këto rritje të çmimeve në kohën e konfliktit Rusi-Ukraine mund të rriten edhe më shumë sepse ecurit politike dhe të sigurisë vetëm sa po përkeqësohen e kjo domosdoshmërisht përcillet edhe me probleme në ekonomi”.
“Kjo rritje e çmimeve ka filluar jo tani, por me herët pasi sipas të dhënave të ESK norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2022 me muajin janar 2021 ishte 7.1%. Si rezultat i inflacionit të tillë kishim ngritje të çmimeve të artikujve të konsumit ditor si bukë dhe drithëra (14.9%); mish (7.6%); qumësht, djathë dhe vezë (9.0%); vajra dhe yndyra ushqimore (33.7%); perime (11.7%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (9.2%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (6.1%); kafe, çaj dhe kakao (10.8%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2.7%); duhan (6.2%); produkte farmaceutike (4.4%); shërbime për transport (3.0%); etj”.
Krasniqi ka thënë se në këto rrethana të rritjes së çmimeve përfitues i parë është shteti pasi që në afat të shkurte mbledh më shumë tatime e taksa nga rritja e çmimeve dhe oligarkët tregtar që kontrollojnë tregun.
” Përtej efekteve të menjëhershme në rëndimin e buxheteve familjare, spiralja inflacioniste do të godasë së shpejti edhe konsumin, do të frenojë rritjen ekonomike si dhe do të rrisë varfërinë. Në fund do të humbasin të gjithë; qytetarët, biznesi dhe vet buxheti.Në raste të tilla roli i qeverisë është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm”.
Krasniqi thotë se qeveria përmes politikave fiskale ka mundësi të intervenoj në treg duke zbritur ose larguar tatimet për këta artikuj së paku për aq sa ka rritje të të hyrave buxhetore si rezultat i rritjes së çmimeve ose në formën tjetër duke rikthyer rritjet e të hyrave buxhetore duke rritur të ardhurat për skemat sociale e pensionale, duke rritur pagat për sektorin publik dhe pagën minimale për sektorin privat gjithnjë pa prekur investimet e domosdoshme publike.
“Njërën nga këto politika ose të kombinuar edhe me politika tjera ( varësisht nga koha dhe vëllimi i krizës) duhet urgjentisht ta zgjedhim të paktën derisa dallga e rritjes së çmimeve të kalojë dhe tregjet të stabilizohen.Edhe vlerësimet e fundit nga INF duke përfshirë FMN-në, Bankën Botërore flasin për nevojën e rishikimit të politikave ekonomike e financiare si rezultate i rrjedhave të reja politike e ekonomike në nivel ndërkombëtar për gjitha ekonomit nacionale”.