Ish-zyrtari i lartë i PTK-së Gazmend Isufi është dënuar me burg me kusht dhe gjobë nën akuzën për marrje ryshfeti.
Gazmend Isufi, ish-zyrtari i lartë i PTK-së është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit burg me kusht dhe 5 mijë euro gjobë.
Isufi nuk do të shkojë në vuajtje të dënimit nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë tre vjetëve të ardhshëm.
Gjykata burg me kusht dhe gjobë u ka shqiptuar edhe të akuzuarve tjerë të këtij procesi gjyqësor.
Agim Zeqiri u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burg me kusht, i cili nuk do t’i ekzekutohet, nëse Zeqiri nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vjetësh. Zeqirit iu shqiptua edhe gjobë prej 1 mijë eurosh.
Zyhdi Hajzeri u dënua me vit burg me kusht. Hajzeri nuk do të përfundojë prapa grilave, nëse nuk kryen vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh. Hajzeri u dënua edhe me gjobë prej 1 mijë e 500 eurove.
Gjykata Veton Morinës ia shqiptoi dënimin burg me kusht prej 1 viti të cilin nuk do ta vuajë nëse nuk bie në kundërshtim me ligjin për dy vjetët e ardhshëm. Morina do të paguajë edhe 1 mijë euro gjobë.
Nerxhivane Daka, Gëzim Curri e Valon Kuçi u dënuan me nga gjashtë muaj burg me kusht. Ata duhet të mos kryejnë brenda një viti vepër tjetër penale, nëse nuk dëshirojnë ta vuajnë dënimin prapa grilave.
Daka, Curri e Kuçi u dënuan edhe me nga 500 euro gjobë.
Gazmend Isufi akuzohej që si drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës në periudhën 2013-2015 ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke u premtuar personave të ndryshëm punësimin e të afërmve në Postën e Kosovës.
Sipas aktakuzës, Isufi ka kërkuar dhe pranuar nga Agim Zeqiri shumën e të hollave prej 5 mijë eurove me qëllim që t’i punësonte të afërmin e tij Rizah Vokrrin në Postën e Kosovës.
Aktakuza Isufin gjithashtu e ngarkonte se ka marrë shumën prej 2000 eurove nga Zyhdi Hajzeri për punësimin e dhëndrit të tij Gëzim Curri gjithashtu në Postën e Kosovës.
Në seancën e kaluar, isufi kishte thënë se të akuzuarve tjerë të këtij procesi vetëm u kishte marrë para borxh, të cilin tha se ua kishte kthyer borxhin.