Eris Jashari, ish-zyrtar policor ka njoftuar se nga nesër do të hyjë në grevë urie, deri sa të realizohet sigurimi shëndetësor për Policinë e Kosovës.
Ai ka thënë se do të konsumojë vetëm ujë dhe do të qëndrojë ditë e natë në një tendë të vendosur në shesh.
Jashari ka dhënë dorëheqje më 4 korrik të vitit 2017 dhe tani është koordinator në organizatën joqeveritare “Ktheju Tokës Tënde KTT”.
“Është përzgjedhur data 31 janar, pikërisht për të ripërkujtuar sakrificën dhe vetëflijimin e datës 31 janar 1999, kur Heroi Osman Gashi, ra dhe u martirizua përjetë të jetëve, duke u hedhur mbi një granatë dore, me qëllimin që t’i shpëtonte shokët e tij në atë lokal.”, thuhej në njoftim.
Komunikata e plotë:
Nesër, më 31 janar 2023, në ora 14:00, në sheshin “Adem Jashari”, te hyrja e pasme e Kuvendit të Republikës së Kosovës kah rruga UÇK, unë Eris Jashari, ish-zyrtar policor në Policinë e Kosovës, i dorëhequr me 04 korrik 2017, tani koordinator në organizatën joqeveritare KTHEJU TOKËS TËNDE KTT, do të futem në GREVË URIE, duke konsumuar vetëm ujë dhe duke qëndruar ditë e natë në një tendë të vendosur në shesh, deri në REALIZIMIN E SIGURIMIT SHËNDETËSOR DHE JETËSOR PËR POLICINË E KOSOVËS, kërkesë kjo drejtuar Deputetëve të Kuvendit të Republikës sonë.
Kërkesa për lejimin e grevës e parashtruar në Policinë e Kosovës nga ana e organizatës sonë, i ka kaluar tashmë 72 orët e parapara me ligjin për Tubimet Publike si dhe është në përputhje të plotë me të dhe ligjet tjera në fuqi.
Njëherazi është njoftuar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, të cilët kanë shprehur vullnetin të jenë nesër prezent aty në përkrahje morale të kësaj nisme.
Ju bëjmë thirrje të gjithë juve si Medie, që të ndani kohë nga agjenda juaj e ngjeshur dhe të jeni prezent nesër në ora 14 00 në sheshin Adem Jashari, në mënyrë që kjo ngjarje të mbërrijë tek i gjithë opinioni publik në vend.
Është përzgjedhur data 31 janar, pikërisht për të ripërkujtuar sakrificën dhe vetëflijimin e datës 31 janar 1999, kur Heroi Osman Gashi, ra dhe u martirizua përjetë të jetëve, duke u hedhur mbi një granatë dore, me qëllimin që t’i shpëtonte shokët e tij në atë lokal.