Kur unë mbarova studimet e mia, ishin katër vitet e fillimit të tranzicionit shqiptar.
Juve që diplomoheni sot, nuk di t’ju them, nëse jeni në vitet e fundit të tranzicionit shqiptar, ndërsa bota po kalon tranzicionin e saj, nga njeriu te teknologjia.
Është koha e parave të shpejta, makinave të shpejta, konsumit të shpejtë, rregullave pa rregulla.
Si orientohesh në këto kohë?
Nga brenda, jo nga jashtë. Pyetjet i bën vetë, përgjigjet i jep vetë.
Ti më dëgjon e mendon, se unë e kam të lehtë te flas, se e kalova. Çfarë kam të lehtë? Çfarë kalova?
As harroj, as kaloj dot, mbi çfarë kam parë dhe bërë.
Ajo kohë nuk zhduket nga memoria ime.
Nuk dija ç’do bëja me jetën time. Kisha frikë. Ishte koha e targave të zeza. Vajzat studente, përdhunoheshin dhe liheshin te dera e konviktit, apo hidheshin në rrugë.
Kisha frike nga frika ime. Dhe e sfidova. Duke treguar histori për frikërat tona, vrava friken time.
Shkova nëpër zyra redaksish në kërkim të një pune, të papaguar në fillim, pastaj me pagesa modeste.
Kujtoj veten pa para, por jo pa shpresë.
Shpresa nuk ka të bëjë me vitin kur lind , por me vitet e tua, adrenalinën natyrale të tyre.
Sepse mosha jote, mosha juaj është çelësi që hap çdo derë. Është e vetmja moshë që ka guxim të marrë dhe besim fëmije.
Përdori! Ti mbase nuk e di se i ke këto armë, por i ke.
Shoqëria të kthen në humbameno, në të kërrusur, në medioker, në intrigant, në të dëshpëruar me rregullat dhe parregullat e saj, kur kalojnë ca vite.
Vetëm tani mundesh të bësh çudinë që nuk pret dot për nesër.
Sikur ta dije çfarë vlere në ar ka mosha jote, çfarë guximi, çfarë besimi, çfarë mundësish, që o përdoren, o digjen.
Ke gjithë jetën para për t’u dorëzuar, po ke vetëm këtë çast për të sfiduar. Ky çast është tani.
Tani nuk i jep askujt llogari, veç vetes. Tani nuk mban përgjegjësi për askënd, veç për veten.
Tani ti nuk ke pasuri. Ti je vete pasuria. Përdore, investoje!
Mos shko të punosh në call center, mos shko të transportosh drogë, mos u bëj skllav, mos u bej mish për top!
Të pengon sistemi? Denoncoje sistemin! Bërtit! Ke zë, pse e hesht zërin tënd?
Bërtite zërin tënd, derisa të ketë veshë që dëgjojnë.
Nuk ka sistem që nuk ka frikë të rinjtë.
Mos fol me vete, mos fol për vete. Hyr në network.
Mos hyr në kafe të qash hallet, as Instagram të gënjesh hallet, bëhu grup të zgjidhesh hallet.
Grupin e kujt, me lider kë? Bëhu lider, bëje ti grupin tënd, ose zgjidhe ti liderin dhe grupin me probleme të ngjashme dhe dëshirë të njëjtë për t’i ndryshuar.
Kur shoh të rinj që mbushin kafenetë, kazinotë, lotot e dhe call center, kur i shoh të lëshuar dhe dorëzuar në pritje të një mundësie për të ikur, më vjen të bërtas.
Nga kush po ikën, nga vetja jote, nga jeta jote?
Bëhu i marre, jo i mjerë! Do të ta falin marrëzinë, por jo mjerimin.
Ju nuk jeni të mjerë, se ju ia dolët. Ia dolët të diplomoheni. Ka të tjerë që nuk e kanë bërë.
Pra ka të tjerë që e nisin me një minus, ju e keni nisur me plus.
Tundjani diplomën tuaj në fytyrë atij që ju thotë pija lëngun këtij kartoni.
Diploma ka për tjetrin, vlerën që ti i tregon se ka. Po shkove me nënshtrim e pa vetëbesim, si i tillë do trajtohesh.
Po të thanë: sa si puna jote, ka me diploma, thuaji: Unë vlej, diploma ime vlen, rinia ime vlen. Ti që me demotivon, e përzë, pa me trego pak diplomën tënde!
Nuk të duhet se ke bërë para? Po si i ke bërë?
Kur një njeri kërkon llogari për paratë e pista vërdallë, zëri i tij humbet. Por kur shumë zëra kërkojnë llogari për paratë, për mungesën e rregullave, për padrejtësinë sociale, nuk ka shans të mos ju dëgjohet zëri.
Ju nuk keni ç’humbisni po ngritët zërin. Por nuk keni ide sa humbisni , duke mos ngritur zërin.
Kërko të drejtën tënde, jo me inat se të takon, por me besim se ke për të dhënë.
Do japësh ëndrrat. Pa ëndrra nuk ka shpikje, nuk ka zhvillim, nuk ka ndryshim.
Unë e di, është e kotë ndonjëherë. Muri i sistemeve të ngritura pa pasur njeriun, në qendër, por paranë, është i padrejtë.
Unë vetë, shpeshherë, konformohem, nuk konfrontohem.
Edhe ti mund ta bësh një ditë. Por tani është koha jote, Nuk ke nevoje për mua dhe mesazhet e mia, ke nevojë për jehonën e zërit tënd. Kujton se je vetëm, ndërsa të tjerët mezi po presin të ikin?
Po bërtit njëherë, oeeeeee a ka si unë, të tjerë?
Dhe do ta shohësh sa ka si ti, që duan t’ia njohin vlerën kësaj diplome, kësaj jete, këtij vendi, që është yti.
Nuk ka lidhje a të do. Ti a e do vendin tënd?
Nuk ka lidhje sa të do jeta e fati yt. Ti a i do ato?
Mos pyet çfarë surprize do të të bëjë fati? Ti më thuaj si do e suprizosh fatin tënd, veten tënde, familjen tënde, të dashurën tënde dhe nesër fëmijën tënd.
Bëhu i marrë, jo i mjerë!
Nuk kanë asgjë më shumë se ty, ata që ia dalin, mjafton të vendosesh me veten, për çfarë ia dalin.
Poqe se t’ia dalësh për çunat këtu është të bëjnë paratë e shpejta e të ikin shpejt atje ku do shkojmë të gjithë, një ditë, kot më thirrët mua.
Unë nuk jam me shprehjen; Një ditë luan, më mirë se gjithë jetën dele.
Unë jam me besimin, bëhu njeri. Shijoje njeriun brenda teje, ndihmoje të dojë e ëndërrojë dhe jeta do jetë jotja, miqtë e mi, kudo ku e ndërtoni.
Unë dua vetëm t’ju lutem; bëjeni këtu! Këtu ku keni diplomën dhe rininë, familjen dhe fëmijërinë. Mos i braktisni se nuk janë pesha që ju ndalojnë fluturimin.
Këto janë krahë që ju ndihmojnë të fluturoni.
Ju dua shumë. Nuk ju njoh, por mezi po pres t’ju njohë gjithë bota.
* Ps. Ky ishte fjalimi i mbajtur nga Rudina Xhunga, në ceremoninë e diplomimit të studenteve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.