Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e së martës, në Liezh të Belgjikës, ku mbetën të vrarë dy police dhe një civil. “Vrasësi ishte një ushtar i ISIS”, ka deklaruar grupi terrorist përmes agjencisë së lajmeve “AMAK”, por pa dhënë ndonjë provë për të mbështetur këtë hipotezë.
Më herët, mediat belge raportuan se agresori, shtetasi belg Benxhamin Herman, kishte vrarë një tjetër person, një natë përpara sulmit. Burimet bënë me dije se viktima është identifikuar si 30-vjeçari Majkëll Vilmet, një ish-i dënuar për shpërndarje droge, i cili ishte goditur disa herë me çekiç.
Prokurorët e çështjes kanë deklaruar ndërkohë se po e trajtojnë atë si “vrasje terroriste”. Nga hetimet është verifikuar se në momentin e sulmit Herman kishte klithur “Allahu akbar”. Ai ishte liruar nga burgu ditën e hënë, pasi kishte shlyer një dënim për vjedhje dhe drogë. Mediat lokale aludojnë se 31-vjeçari mund të jetë radikalizuar gjatë qëndrimit në burg.