Forca arabo-kurde që lufton militantët e Shtetit Islamik në Siri, me mbështetjen e SHBA-së, ka marrë kontrollin e qarkut Al-Kadisia, jashtë qytetit Raka.
Raka është kryeqyteti i vetëshpallur i Shtetit Islamik në Siri.
Koalicioni ka nisur betejën për këtë qytet qysh në fillim të qershorit.
Zëdhënësi i koalicionit, kolonel Ryan Dillon, tha se rezistenca e Shtetit Islamik në Raka po rritet, pasi militantët po bëhen gjithnjë e më të pashpresë.
Koalicioni, që udhëhiqet nga SHBA-ja, ka siguruar artileri dhe mbështetje ajrore për forcat arabe dhe kurde në Raka.
Koalicioni po ashtu tha se ka vrarë disa udhëheqës të Shtetit Islamik, përfshirë Turki Binali, klerik nga Bahrejni, i cili ka qenë njëri nga predikuesit më të zëshëm të grupit dhe është shfaqur rregullisht në videot e tij propaganduese.
Raportet për përparim vijnë në ditën e njëjtë kur forcat irakiane, të mbështetura nga SHBA-ja, kanë hyrë më thellë në qytetin e Mosulit dhe janë pranë rikthimit të tij nga militantët e Shtetit Islamik.
“Do ta përfundojmë operacionin brenda disa ditësh. Fundi do të jetë shumë shpejt”, tha komandanti i ushtrisë, Abdulwahab al-Saadim.
Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, tha se forcat e Qeverisë janë afër shpalljes së fitores përfundimtare mbi bandat e Shtetit Islamik.
Grupi ekstremist ka marrë kontrollin e Mosulit, qytetit të dytë më të madh të Irakut, tash e treg vjet, ndërsa operacioni për rikthimin e tij ka nisur në tetor të vitit të kaluar.
Në këta tetë muaj luftime, pjesa më e madhe e Qytetit të Vjetër të Mosulit është shkatërruar, përfshirë edhe xhaminë Grand al-Nuri, e vjetër 850 vjet.
Humbja e Rakës dhe e Mosulit do të shënonte fitore të mëdha kundër Shtetit Islamik, i cili ka pushtuar territore të mëdha të Sirisë dhe Irakut qysh në vitin 2014.
Në luftën civile të Sirisë, e cila zgjat tash e gjashtë vjet, SHBA mbështet forcat që luftojnë regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Rusia dhe Irani mbështesin Assadin, ndërsa ekstremistët e Shtetit Islamik luftohen nga të gjitha palët.