Një raport ekskluziv i Associated Press thotë se trafiku i grupit militant, Shteti Islamik, në rrjetin social, Twitter ka shënuar rënie prej 45 % gjatë dy vjetëve të fundit, të dhëna këto që agjencia e lajmeve i ka siguruar nga administrata e presidentit amerikan Barack Obama.
Raporti më tej thotë se SHBA-ja dhe aleatët e saj ndërkaq i kanë intensifikuar postimet kundër glorifikimit të xhihadit, duke publikuar fotografi dhe deklarata që shpërfaqin vuajtjet dhe skllavërimin që përjetohet në vendet nën kontrollin e grupit ekstremist, shkruan rel.
Në mesin e fotografive të postuara nga vendet demokratike është edhe ajo e një arushe lodër, ndërsa mesazhi në arabisht thotë: “IS masakron fëmijërinë”, “vret të pafajshmit”, “fshikullon të dëlirët” dhe “turpëron fëmijët”.
Raporti i Associated Press më pas thotë se një tjetër fotografi tregon dorën e një burri duke e mbuluar gojën e një gruaje me legjendën: “IS-i ia ndalon zërin gruas”.
Ndërsa, fotografia ndoshta më tronditëse që ka për qëllim kundërshtimin e propagandës së grupit ekstremist, është ajo e një gruaje me nikab (vello myslimane), së cilës i dalin lot gjaku nga syri i ënjtur, ndërsa legjenda e fotografisë shkruan: “Gratë nën ISIS. Të skllavëruara. Të goditura. Të rrahura. Të turpëruara. Të fshikulluara me kamxhik”.
Zyrtarët amerikanë sipas AP-së, thonë se postimet e grupit militant në Twitter kanë shënuar rënie,duke e marrë këtë si shenjë progresi drejt eliminimit të propagandës, e cila fajësohet edhe për nxitjen e sulmeve terroriste nëpër botë.
Kur SHBA-ja e themeloi një koalicion ndërkombëtar në shtator të vitit 2014, për ta luftuar IS-in, administrata kishte nënvizuar disa qëllime: sulmet ushtarake, ndalimi i luftëtarëve të huaj dhe financat e tyre, konfrontimi i ideologjisë ekstremiste dhe ndalimin e popullaritetit të militantëve në botën arabe dhe përtej saj.
Mesazhet e kësaj fushate nuk e arritën suksesin e dëshiruar në fillim, shkruan Associated Press, pasi shumica e mesazheve kundër Shtetit Islamik në internet, ishin në anglisht, duke pasur kështu ndikim të kufizuar.
Në atë kohë, rrjetet sociale vetëm sa kishin filluar të përdornin një qasje të re teknologjike për mbylljen e profileve që radikalizonin dhe rekrutonin të rinjtë si pjesëtarë të IS-it.
Zyrtarët amerikanë besojnë se këto teknologji të rrjeteve sociale tashmë janë avancuar. Fotografitë dhe produktet online që shpërfaqin trajtimin e grave, fëmijëve dhe të tjerëve tashmë publikohen pothuajse në tërësi në arabisht.
Më parë, përhapja e këtyre mesazheve bëhej nga vetë Qeveria amerikane, ndërsa tani këto mesazhe përhapen nga qeveritë myslimane, liderët fetarë, shkollat, liderët e të rinjve dhe grupet avokuese me kredibilitet nëpër komunitetet lokale.
Të dhënat, sipas Associated Press, tregojnë një rënie të propagandës së grupit militant, Shteti Islamik.