Islami për aksionin e Policisë në veri: Kriminelët bashkëpunojnë mes vete, krimi i organizuar s’ka kufij

Prishtinë | 19 Mar 2025 | 13:01 | Nga Gzim Mujaj

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mërkurën ka realizuar një aksion të gjerë në 21 lokacione në jug dhe veri të Mitrovicës, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.

Sipas njoftimit, gjatë këtij operacioni, janë shoqëruar 16 persona të dyshuar për veprat penale “Detyrimi” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka deklaruar për Ekonomia Online se krimi i organizuar nuk njeh kufij, komb apo racë.

 Sipas tij, aksioni i Policisë së Kosovës, i cili rezultoi me konfiskimin e armatimit dhe dokumenteve të ndryshme si në jug ashtu edhe në veri, tregon se kriminelët bashkëpunojnë mes vete.

Islami thekson se ky aksion nuk është i pari e as i fundit, pasi Mitrovica e veriut është një zonë e militarizuar që duhet të demilitarizohet vazhdimisht.

Ai uron që Policia të vazhdojë me aksione të tilla, në mënyrë që veriu i Kosovës të jetë i demilitarizuar.

“Krimi i organizuar nuk njeh kufij, nuk njeh komb e racë. Sipas raportimeve kemi vërejtur që në kuadër të aksionit të Policisë së Kosovës me urdhër të prokurorit është bërë konfiskimi i armatimit dhe dokumente të ndryshme si në jug, ashtu edhe në veri. Pra, kriminelet bashkëpunojnë mes veti. Aksioni si i tillë nuk është nuk është ky i pari e as i fundit, sepse Mitrovica e veriut është vend i militarizuar që do të duhej në vazhdimësi të demilitarizohet dhe demilitarizimi nuk bëhet në mënyrë vullnetare, prandaj unë uroj që Policia të vazhdojë me aksione të tilla dhe veriu i Kosovës të jetë i demilitarizuar, të jetë i qetë, të mbisundojë rendi dhe ligji dhe qytetarët e të gjitha nacionaliteteve të jetojnë pa frikë dhe pa brenga”, ka thënë ai për EO.

Tutje në njoftimin e policisë bëhet e ditur se janë sekuestruar gjithashtu 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, një thikë, tyta armësh, fatrolla për armë dhe një DVR. Pas intervistimit, 13 persona janë ndaluar për 48 orë.

Të ngjashme