Ish-deputeti që fitoi mandatin si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje e kaloi me grupin e 12 deputetëve në PSD, Fisnik Ismaili, paralajmëron se do të tërhiqet nga politika. Kësisoj nëse nuk arrin të bëhet deputet, e për çka vet ka shprehur dyshimet se një gjë e tillë mund të ndodhë.
“Politika le t’i mbetet atyre që iu flen më mirë. Për mua ishte veç mundim, pos betejave që i bëja me shumë qejf, të cilat nuk i duhen skenës politike më. E që rrjedhimisht tregon se s’i duhem as unë politikës ma, përveç nëse del se e kam fituar edhe këtë mandat, për të cilin dyshoj”, ka thënë Ismaili.
Ismaili ka thënë se ka gabuar që kur është bërë ndarja e VV-së nuk ka dalë deputet i pavarur, siç ka thënë për të qenë zëri i 55% të qytetarëve që nuk votojnë.
“Isha kënaqë, se ma nxorën politikën për hundësh”, ka thënë Ismaili.
Ismaili ka thënë se idealet po u zhdukshin në momentin që i merr erë pushtetit.
“S’keni qenë brenda në politikë, me e pa si unë. Egon hala asnjëri prej udhëheqësve shqiptarë nuk diti ta mbizotërojë, pa dallim subjekti, që për mua është pengesa më e madhe e bashkëpunimit politik”, ka thënë Ismaili.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë dhe pa ndërhyrje postimin e Fisnik Ismailit:
Qëllimi im këto 10 vjet të angazhimit politik ka qenë: me e hjekë zaptuesin prej qytetit tim, edhe me e hjekë zaptuesin prej shtetit tim.
A ia kam arritë? Po. A kam kontribue, në mënyrën time, dukshëm për këtë punë? Hell yeah!
A kam gabue najsen? Sigurisht se po. S’ka njeri të pagabueshëm. E gabimi im i vetëm ka qenë, se kur është bë ndamja në VV, s’kam dalë deputet i pavarun, që me lujtë k… me krejt. Me qenë zani i qatyne 55% që nuk votojnë. Isha kënaqë, se ma nxorën politikën për hunsh.
Çka kanë të përbashkët KREJT subjektet politike në Kosovë, pa dallim, është dëshira e verbër për pushtet, që nuk zgjedh mjete. Edhe besomëni, këto vjet kam pa, e kam përjetue gjithçka, për me e kuptue këtë gjë. House of Cards, nëse e keni këqyrë, nuk është tregim fiktiv. Është realitet që ndodh në politikën e çdo shteti, edhe është realitet shumë i poshtër për njerëz si unë.
Krejt lojët politike: shantazhet, skandalet, shpifjet, të ngulmet, marrëveshjet, koalicionet edhe propaganda, janë mjete për me e marrë pushtetin në fund. Unë kam qenë pjesë aktive e propagandës, që e kam edhe profesion, edhe e kam përdorë si kundërptopagandë ndaj subjekteve që e mbajshin peng Prishtinën edhe Kosovën.
Amo tutje, me qenë pjesë e lojëve të randa politike, kam refuzue çdo herë. As anëtar kryesie s’kam dashtë me qenë në asnjanin subjekt, se u bajsha nervoz me standardet e dyfishta, ndryshimin e parimeve, hipokrizinë, të cilat në raste edhe mu ka dashtë me ia arsyetue subjektit para miletit. Kjo vlen për krejt subjektet që kam qenë pjesë.
Unë me profesion baj reklama. Çdo reklamë i rritë pak gjanat, pra, rren ka pak brenda të pranueshmes, për me e shitë produktin. Propaganda e subjektit politik, amo, din kanjiherë me rrejtë qaq shumë, sa bahet padurueshëm, veç për me e kapë pushtetin.
Kam pas besue verbërisht në idealin gjatë luftës, edhe ma vonë e kam pa se jam ngulë. Njajtë besova deri u ngula edhe në idealin në politikë. E, qysh thojnë, nëse ngulesh një herë, dikush t’ka ba budallë, por kur ngulesh për s’dyt, atëherë je nime budallë.
Sidoqoftë, qëllimi im me i hjekë zaptuesit është arritë. Për pozitë në pushtet kurrë s’kam synue, prandej as nuk kam qenë aktiv në pozitë diku në Komunë. E pranoj veç mandatin prej sovranit, që vendosë a me qenë unë, apo mos me qenë, zani i tij.
Idealet, njerëz të dashtun, po u zhdukshin në momentin që i merr erë pushtetit. S’keni qenë brenda në politikë, me e pa si unë. Egon hala asnjani prej udhëheqësve shqiptarë nuk dijti me e mbizotënue, pa dallim subjekti, që për mue është pengesa më e madhe e bashkëpunimit politik.
E unë idealet e mia që i kam ruejtë në politikë me çykë të zorit, ndërsa egon e kam përbi, por pa u nënshtrue. Njajtë vazhdoj me i mbajtë si profesionist e qytetar aktiv.
Politika le t’i mbetet atyne që iu flen më mirë. Për mue ishte veç munim, pos betejave që i bajsha me shumë qef, të cilat nuk i duhen skenës politike ma. E që rrjedhimisht tregon se s’i duhem as unë politikës ma, përveç nëse del se e kam fitue edhe këtë mandat, për të cilin dyshoj.
Me vjedhë, s’kam vjedhë. Me rrejtë, s’kam rrejtë. Me shpresë shuuuuumë të madhe se ndryshimi ka me qenë i dukshëm, kam me vazhdue me qenë i drejtë – kritik ndaj të padrejtës, e përkrahës i vullnetit të mirë, me shpresë që shteti çkapet e mbetet i secilit prej nesh.
Qytetar aktiv e njeri me qëllime të mira gjithmonë, brenda apo jashtë politikës, me ideale të njajta, për një botë më të mirë.