Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në kuadër të vizitave nëpër spitalet e Kosovës ka qëndruar sot në Gjakovë.
Në spitalin e këtushëm, ai ka premtuar rritje të të punësuarve dhe të investimeve. Por, ka kërkuar dhe përgjegjësi e shërbime më të mira nga mjekët e stafi, raporton Ekonomia Online.
“Do të shtojmë numrin e punëtorëve, po ashtu do të rrisim edhe investimet në Spitalin e Gjakovës. Në anën tjetër, Kërkova që të shtohet përgjegjësia nga të gjitha si orari dhe shërbimet”, tha Ismaili.
“Unë do të jem përkrah spitaleve që çdo ditë të rrisim nivelin e punës”.
Ai foli dhe për listën e barnave, e cila nuk është evidentuar që nga viti 2012. “Ne kemi filluar një punë shumë të madhe, një proces që do të duhej ndoshta të merrte më shumë kohë. Por unë kam thënë se do të përfundojë brenda vitit 2018”.
“Na është lënë një punë e pabërë me vite, por ne do të punojmë për këtë”.
Ndërkohë, për sigurimet shëndetësore, Ismaili ka përsëritur se kërkojnë kohë. “Ne i kemi dhënë vetes afat që brenda dy viteve të përfundojnë. Brenda vitit 2018 ta pilotojmë e më 2019 të përfundojë plotësisht”.
Ahmet Asllani, drejtor i Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, tha se vizita e ministrit të Shëndetësisë në Gjakovë është ditë e veçantë.
“Kërkuam nga ministri shtimin e personelit, pasi numri i mjekëve në Gjakovë është më i vogël për kokë banori sesa në të gjithë regjionin”, u shpreh Asllani.
Ministri Ismaili, gjatë kësaj vizite, shoqërohej dhe nga ushtruesi i detyrës sëdrejtori të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu, si dhe drejtori i Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.