Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, tani deputet i kësaj partie, ka kritikuar ashpër ministrin e tanishëm të Shëndetësisë në Kosovë për pezullimin e udhëzimit administrative për unifikimin e çmimit të barnave.
Sipas Ismailit, udhëzimi që u fuqizua në kohën sa ai ishte ministër, kishte për qëllim vetëm ndalimin e abuzimit të çmimit të barnave.
“Siç e dini para dy ditësh minsitri Zemaj shfuqizoi udhëzimin për unifikimin e çmimit të barnave. Udhëzimi në fjalë kishte vetëm një qëllim: Të ndalonte abuzimin me çmimin e barnave. Ai ndalonte këdo që ofronte çmime më të larta se në treg. U pa që presioni publik e detyroi atë ta kthejë prapa këtë vendim. Mirëpo, ai ka kërkuar një komision të ri për këtë udhëzim, dhe kjo do të thotë blerje e kohës, që i faturohet qytetarit”, tha ai.
Tutje, një strategji e tillë sipas Ismailit është përdorur edhe më herët.
Në këtë kontekst, sipas tij ministri Zemaj po nxit rrjetet kriminale.
“Anulimi i udhëzimit, pezullimi, zvarritja dhe stagnimi është një strategji e përdorur edhe më herët. Vendimi për ta kthyer në sirtar, nuk është diçka e re, por është çudi se minsitri Zemaj po bëhet partner me individët e krimit dhe korrupsionit. Shumë gjatë, paraja publike është keqpërdorur. Kjo traditë e korrupsionit është thyer gjatë mandatit tim. Sjellja e ministrit Zemaj ndaj këtij udhëzimi është nxitje e rrjeteve kriminale”, tha Ismaili.