Operacione dhe ndërhyrje me metodologjinë më të re në Kardiokirugji dhe Kardiologji, trajtime profesionale për Pediatrinë dhe shërbime të shpejta dhe me standardet më të larta, do të ketë shumë shpejt edhe në Kosovë, me ndihmën e ekspertëve kroatë të shëndetësisë. Kjo do të bëhet e mundur falë vizitës produktive së ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismail në Kroaci.
Pas takimit me Minstrin kroat të shëndetësisë dhe udhëheqësit e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore kroate, ministri Ismaili, së bashku me drejtorin e SHSKUK-së, Basri Sejdiun, kanë vizituar sot Qendrën Klinike Universitare të Rebros.
Në takimin me drejtorin e kësaj qendre Ante Çorusic, ministri Ismaili kërkoi që të krijohen më shumë ura bashkëpunimi në mes të dy qendrave klinike universitare. Specifikisht, të shtohet ndihma mjekësore kroate, si një vend me mjekësi të zhvilluar për Kosovën.
“Si një shtet mik, edhe kësaj radhe kemi trokitur në derën tuaj që të forcojmë bashkëpunimin tonë. Të kemi më shumë shkëmbime profesionale, trajnime të profesionistëve tanë shëndetësor”, tha ministri Ismaili.
Në anën tjetër, drejtori i Klinikës Universitare të Rebros, Ante Çorusic, tha se ata do të jenë gjithmonë në gatishmëri për të mbështetur personelin mjekësorë dhe pacientët kosovarë në të gjitha format e kërkuara.
Pas këtij takimi, ministri Ismaili vizitoi disa prej klinikave më të rëndësishme të kësaj qendre, si Emergjencën, Pediatrinë, Kardiokirurgjinë dhe Kardiologjinë, ku u njoftua me praktikat e punës në këto klinika.
Bashkë me drejtorët e këtyre klinikave, u pajtuan që në javët në vijim të konkretizohet bashkpunimi me marrëveshje konkrete, përmes së cilës do të përfitonin më së shumti personeli mjekësor dhe pacientët kosovarë.