Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj për sjelljen, siç e quajti ai skandaloze rreth vendimit për çmimin e barnave në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Ismaili ka thënë se ky akt e rikthen krimin në shëndetësi, u shërben disa individëve dhe e varfëron popullin.
Ai ka kërkuar që të mos manipulohet dhe ministri Zemaj të mos rreshtohet me krimin, korrupsionin dhe plaçkitjen në shëndetësi.
“Ministri Armend Zemaj dje i ka dhënë hapësirë krimit dhe korrupsionit në shëndetësi, duke e shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave. Me këtë vendim, ai ka goditur një nga reformat më të mëdha në historinë e shëndetësisë dhe ka ri-legalizuar krimin. Pas presionit publik, Zemaj ka shfuqizuar sot vendimin e djeshëm të tij, duke krijuar një ekip të ri për ta ndryshuar këtë Udhëzim, i cili ishte hartuar me ekspertë ndërkombëtare dhe nën mbikëqyrjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, u shpreh ai.
Sipas tij, anulimi i vendimit që të martën e ka marr vetë Zemaj, është fitore e interesave të grupeve kriminale
“Ky manipulim do t’u kushtojë qytetarëve tanë, të cilët do të vazhdojnë të blejnë barna me çmime më të shtrenjta se qytetarët e shteteve përreth. Anulimi një herë, e pezullimi tash, i Udhëzimit që rregullon dhe ulë çmimet e barnave, është fitore e interesave të grupeve kriminale që dëshirojnë të pasurohen në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Është kthim prapa në shëndetësi, është varfërim i qytetarit dhe është pajtim që paratë e taksapagueseve të mos investohen, por të keqpërdoren”, është shprehur ai.
Ish-ministri i Shëndetësisë, ka thënë se për kohë të gjatë, paraja publike është keq-shfrytëzuar. Thotë se barnat që kanë mundur të blihen me 3 euro, janë blerë me 30 euro.
“Për kohë të gjatë, miliona euro u janë dhënë kompanive, të cilat nuk kanë pasur për qëllim ofrimin e produkteve më cilësore me çmime më të lira, por pasurimin brenda natës dhe marrjen e kontratave milionëshe. Ky rrjet kriminal ka qenë dhe mbetet ende rrezik i sektorit të shëndetësisë dhe plaçkitës i parasë publike. Nëse paratë e taksave tona nuk shkojnë në investimin dhe përmirësimin e sektorit të shëndetësisë, por në xhepat e individëve dhe kompanive të caktuara, atëherë jemi të dënuar të kemi shëndetësinë më të dobët, e rrjetin kriminal më të fortë”, tha para gazetarëve Ismaili.
“Nëse nuk i ndalet rruga korrupsionit, nuk do të ketë shëndetësi të zhvilluar, shërbime më të mira profesionale, aparatura të reja dhe barna të mjaftueshme nëpër spitale. Kjo ishte bindja ime sa isha Ministër i Shëndetësisë dhe mbi këtë vizion kam zhvilluar për dy vjet një betejë shumë të vështirë për ta nënshkruar Udhëzimin Administrativ që i rregullon dhe ulë çmimet e barnave”, u shpreh Ismailli.
Sekretari i PDK-së, thotë se për 20 vjet qytetarët kanë blerë barna të shtrenjta në barnatoret e Kosovës sesa qytetarët në Maqedoni dhe në Shqipëri.
“Për 20 vjet, qytetarët tanë kanë blerë barna më të shtrenjta në barnatoret e Kosovës sesa qytetarët në Maqedoni dhe në Shqipëri. Për 20 vjet, qytetarët tanë kanë blerë barna paradite me një çmim tjetër, e në mbrëmje – kur kanë qenë në hall – me një çmim tjetër. Me një çmim tjetër në fshat, me një çmim tjetër në qytet. Me çmime të ndryshme në lagje të ndryshme”, ka thënë ai.