Një klub i formuar vonë po synon që shpejt të marrë primatin në hendbollin kosovar të femrave. Tek Istogu presin që në edicionin 2016/17 të sigurojnë plasmanin që për vitin tjetër do t’iu garantonte paraqitje në gara evropiane, për herë të parë në histori të këtij klubi.
Istogu është themeluar si klub në vitin 2004, në vitin kur Kosova u pranua me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit dhe kur klubet e Kosovës fituan të drejtën të garojnë në kupa evropiane, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas drejtuesve të klubit, hendbolli i femrave më herët nuk është luajtur në mënyrë të organizuar në këtë qytet. Në klub, që prej themelimit të tij, është Faruk Shala, që zyrtarisht mban postin e trajnerit. Por ai kryen thuajse të gjitha punët në klub.
“Në klub jam prej vitit 2004, prej themelimit. Ishim tre profesorë që e themeluam klubin dhe në fillim kishte një kryesi, që qëndroi rreth dy vjet. Prej vitit 2006 për klubin kujdesem thuajse i vetëm. E kam një kryesi që më ndihmon nga pak, por shumicën e punëve i kryej unë”, ka treguar Shala.