Bekim Isufi e ka komentuar ndeshjen e sontme të Superkupës së Kosovës, të cilën Drita e fitoi me rezultat 2:1 ndaj Prishtinës.
Trajneri gjilanas ndihet i lumtur që ia solli qytetit të Gjilanit trofeun e parë të Superkupës.
“Prishtina tregoi një dëshirë më të madhe në pjesën e parë dhe ajo u pa qartë ku goditi edhe tri shtylla. Ndoshta ne nuk kemi bërë atë tranzicionin prej fazës së sulmit në fazën e mbrojtjes dhe këtu kemi çaluar, sidomos në mesfushë, ku ndoshta edhe në pjesën e parë nuk ka pasur ekuilibër”, tha Isufi.
“Edhe në vitin e kaluar Drita disa herë ka përmbys rezultatin dhe kjo ka treguar karakterin tonë, kështu që edhe në këtë ndeshje kemi besuar”, deklaroi trajneri gjilanas, në konferencën për shtyp.
Ai ka thënë se në pjesën e parë, lojtarët e tij nuk ishin “me këmbë në tokë”, duket pas ndeshjeve të zhvilluara në arenën ndërkombëtare.
“Ta them të drejtën, kemi besuar që do të jemi konkurrent i fortë. Ndoshta pak euforia e pjesës së parë, ose neglizhenca. Na ka pjekur edhe edhe pjesa e parë. Në këtë ndeshje e arritëm. Kërkesa ka qenë ta vazhdojmë atë që e kemi ushtruar. Mendoj se me plot meritë kemi fituar, duke mos e mohuar një lojë jashtëzakonisht të mirë të Prishtinës, shumë më e mirë se vitin e kaluar”, ka thënë Isufi për Supersport.
Trajneri Isufi ka befasuar, duke deklaruar se Prishtina e Llapi, këtë sezon janë më të forta se ta. “Jemi më të dobët se ekipet e tjera në krahasim me Prishtinën dhe Llapin që janë përforcuar. Ne jemi aty afër tyre sa i përket mbrojtjes së titullit të kampionit”, tha Isufi.