Ahmet Isufi i AAK-së, ish-komandant i UÇK-së, ka thënë se për krijimin e Ligjit për Veteranët ka pasur marrëveshje politike.
Sipas tij, krijimi i katër kategorive në këtë ligj ka bërë të ketë fryrje të listave.
“Konsideroj se u bë gabimi i parë apo i qëllimshëm, sepse u futën katër kategori në kuadër të ligjit. U bë kategoria e Veteranit luftëtar, Veterani pjesëmarrës, Veteranit pjesëtar dhe të Internuarin e luftës”, ka thënë ai.
Sipas tij, deklarimi i Kadri Veselit se ka pasur marrëveshje politike për këtë çështje, tregon se gjithçka është bërë për interesa politike.
“E keni dëgjuar edhe në parlament kur kryeparlamentari thotë se është bërë marrëveshje politike për t’u bë ky ligj. Nëse ka marrëveshje po dihet pse u bë. Që të lejohet të ketë keqpërdorime. Kështu e shoh unë. Ndarja në kategori, këto dy elemente që ishin të involvuara në procesin e krijimit të ligjit kanë bërë që të ketë flusk të atyre që kanë aplikuar”, ka thënë ai në Rubikon.
E ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja, tash kandidat i PDK-së për deputet, ka thënë se shifra prej 60 mijë veteranëve s’është as e përafërt me numrin real të atyre që ishin në të vërtetë në luftë.
Në debatin në Rubikon për “Vlerat e luftës”, Buja ka thënë se shumë luftëtarë të vërtetë janë në kushte jo të mira sot dhe se duhet të jetë fokus i politikës për t’ua përmirësuar kushtet “të paktën ato që janë të domosdoshme”.
Duke folur për “veteranët e rremë”, Buja ka shtuar se “s’mund ta kuptoj si dikush pranon të hyjë në lista të tilla kur vetë s’ka qenë pjesë e luftës”.
“Unë nuk mund të pajtohem me numrin e listës që flitet sepse s’kemi pasur kurrë në asnjë regjistër as numër të përafërt”, ka thënë ai.