Italia kërkon 70 mijë punëtorë, këto janë kushtet dhe sektorët që kanë nevojë

Prishtinë | 03 Jan 2022 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri italian Mario Draghi ka nënshkruar një dekret i cili do t’i mundësojë rreth 70 mijë punonjësve nga vendet jo-europiane të punojnë në mënyrë të ligjshme në Itali.

Ky vendim i qeverisë vjen si zgjidhje ndaj mungesës së theksuar për fuqi punëtore në shtetin fqinj.

I quajtur “Dekreti i Fluksit” në të parashikohen të vijnë dyfish më shumë punëtorë se vitin e kaluar, por edhe nga vitet e mëparshme. Vetë kryeministri Draghi në konferencën për shtyp ka bërë të ditur nevojën për një dekret plotësues nëse është nevoja edhe për më shumë fuqi punëtore.

“Ne po i përgjigjemi një kërkese të industrisë italiane, veçanërisht në industrinë e ndërtimit, e cila në fakt është edhe më e madhe se kjo shifër”, nënvizoi kryeministri në konferencën tradicionale për shtyp të fundvitit.

Ministri i Punës Andrea Orlando konfirmoi gjithashtu se numri i punonjësve në dekret është goxha i madh, më shumë se dyfishi i shifrës së pritur në 10 vitet e fundit. “Megjithatë nën nevojat që paraqiten”

Ky numër i lartë kërkesash për punonjës vjen edhe për shkak se Italia është vendi i cili ka përfituar më shumë para nga të gjitha shtetet e tjera evropiane prej fondit të Rimëkëmbjes dhe ka një sërë projektesh të mëdha në zhvillim.

Në dekret theksohet se punonjësit mund të jenë sezonalë, jo sezonalë, por edhe të vetëpunësuar.

Në dekret gjithashtu parashikohet se rreth 20,000 punonjës të huaj janë të destinuar për “sektorët e transportit të mallrave për palët e treta, ndërtimi dhe hoteleri turizëm”./TCH

Të ngjashme