Iu gjet një qese me marihuanë në një lokal në Prishtinë, i akuzuari nuk paraqitet në gjykatë

Prishtinë | 19 Jan 2022 | 13:28 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka lëshuar urdhërese për verifikim adrese ndaj H.H i cili po akuzohet se në 2016-tën në një diskotekë në Prishtinë gjatë kontrollimit i është gjetur një qese me marihuanë.

Kjo pasi që, i akuzuari mungoi të mërkurën në seancën fillestare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e tij, gjykatësja e rastit Donikë Shala Abdyli deklaroi se në fletëkthesën e kthyer në gjykatë ka rezultuar adresë e panjohur.

Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte i pranishëm askush nga prokuroria e shtetit edhe pse të njëjtit sipas gjykatëses Shala-Avdyli ishin ftuar në mënyrë të rregullt, ndërkaq përpiluese e aktakuzës është prokurorja Arbëresha Shala.

Me qenë se nuk u plotësuan kushtet për mbajtën shqyrtimit fillestar, seanca e sotme u shty në kohë të pacaktuar kurse e radhës do të caktohet pasi që të bëhet verifikimi i adresës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 korrik 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, H.H po akuzohet për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkototikëve, substancave psikotrope ose analoge” e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Aktakuza thotë se më 20 gusht 2016, në Prishtinë, saktësisht në hapësirën e jashtme të një lokalit është ndaluar i pandehuri Hoti dhe gjatë kontrollit në trupin e tij është gjetur një qese e mbushur me substancë narkotike, me peshë të përgjithshme neto 3.47 +- 0.0001 gram, e cila më pas i është konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkototikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 paragrafi 1 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tre vjet. /BetrimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme