Autopsia ka konkluduar se Oliver Ivanoviq, i ekzekutuar pranë zyrave të partisë që drejtonte “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) në Kosovë, është qëlluar me 6 plumba.
Sipas ekspertizës që i është bërë plumbave të gjetur në trupin e viktimës, rezulton se ato i përkasin një arme tip revolver “Zastava M70A”, prodhim serb, e njohur si “nëntëshe e gjatë”.
Autopsia, me këmbënguljen e familjarëve të Ivanoviq, është kryer në qendrën spitalore të Mitrovicës, ndërsa procesi është udhëhequr nga mjekët e Institutit Ligjor të Kosovës, ku kanë marrë pjesë edhe mjekët serbë.
“Ka gjashtë shenja, katër plumba kanë dalë nga trupi, dy plumba kanë mbetur në trup. Plumbat kanë prekur pjesën e kraharorit dhe të gjoksit”, – ka bërë të ditur për mediat serbe Milan Ivanoviç, drejtor i Qendrës Klinike dhe Spitalore në Mitrovicë.
Sipas tij, autopsia zgjati rreth katër orë dhe viktima ishte plagosur në organet vitale, aorta e sipërme, vena dhe mëlçi. Ivanoviç është vrarë para selisë së partisë së tij në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës. E vetmja provë është një veturë e djegur e tipit “Opel Astra”, e cila është gjetur pas vrasjes në një lagje në veri të Kosovës.