Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, e ka quajtur lider të madh dhe jo kriminel ish-presidentin e serbisë, Sloobodan Millosheviqin.
“Historia do ta japë gjykimin e fundit për të. Ne jemi të vegjël dhe ka kaluar pak kohë. Millosheviqi i ka bërë dy gjëra të mëdha për popullin serb: Marrëveshjen e Dejtonit dhe Rezolutën 1244, ato me të cilat ende qëndrojmë”, ka thënë Daçiq për Telegrafin serb.
Sipas Daçiqit, gabimi më i madh i ish-shefit të tij, Millosheviqit, ka qenë që ka lejuar që disa vrasje të lidhen me të ose me pushtetin e tij.
“Sipas meje, njëri nga gabimet më të mëdha të tij është në politikën e kuadrove, jo vetëm në parti e në shtet, por pse ka lejuar që vrasje të ndryshme të kenë lidhje me të ose me pushtetin e atëhershëm”, ka thënë Daçiq.
Ai ka thënë se me Millosheviqin është “grindur”, kur ai ka qenë më i fortë dhe kur kishte dashur ta përjashtonte nga partia.