Në javët e fundit janë para shumë sportistë duke ushtruar në shtëpi dhe duke u munduar të gjejnë mënyra kreative për të qëndruar të shëndetshëm dhe të fortë. Por jo të gjithë sportistët kanë kufizuar veten në mes katër muresh.
Stadiumet, barkat dhe hotelet janë disa prej vendeve “alternative” ku sportistët po qëndrojnë gjatë bllokimit.
Sajti i Lojërave Olimpike “Tokio 2020” ka paraqitur shembujt e disa sportistëve. Nuk janë përfshirë xhudistët kosovarë që po qëndrojnë të izoluar në sallën e tyre në Pejë.
Parajsa në tokë
Ylli i surfingut nga Kosta Rika, Brisa Hennessy, që është kualifikuar për Tokio 2020, po pret në parajsë që sporti i saj të debutojë në Lojërat Olimpike.
Ajo ka treguar në një dokumentar se kishte fat gjatë krizës dhe se mund të surfojë, të vrapojë e madje të shkojë edhe në peshkim. Hennessy aktualisht po qëndron me familjarët e saj në resortin familjar në ishullin Namotu, një prej shumë ishujve që e përbëjnë Fixhin.
Kur Komiteti Olimpik të bëhet shtëpi
Maratonisti paraguaian, Derlys Ayala po jeton në Komitetin Olimpik Nacional të vendit të tij gjatë izolimit. Vrapuesi ishte duke jetuar me persona që ishin të rrezikuar nga COVID – 19 kështu që Komiteti Olimpik i Paraguait i ofroi strehim gjatë periudhës së karantinës.
Në kohën kur shumë atletë nuk mund të ushtrojnë, Ayala ka qenë me fat për të pasur një shteg të tij. Nëse mërzitet, ai mund të vrapojë në fushën e futbollit.
I tërë stadiumi për dy persona
Kjo mund të mos jetë një storie olimpike, por bota sportive është mahnitur prej saj. Një prej të punësuarve në klubin e La Ligas, Malaga, ka jetuar në stadium që nga viti 1966. Si shumica e njerëzve në Spanjë, Andres Perales ka qëndruar në shtëpi gjatë izolimit. Dallimi është që shtëpia e tij është stadiumi me hapësirë për 22 mijë persona.
Ai të paktën nuk është i vetëm. Djali i tij dhe qeni i tij po ashtu po qëndrojnë në stadium, që do të thotë se janë vetëm 21 mijë e 997 ulëse të lira në La Rosalda.
Izolimi në barkë
Lundruesja australiane, Mara Stransky po kërkon ëndrrën olimpike të saj në barkë. Në kohën kur shumica e njerëzve janë në shtëpi për shkak të COVID – 19, ajo së bashku me familjen kalojnë ditët në jaht në Brisbane. Kjo është arsyeja pse Stransky nuk ka ndërprerë stërvitjet gjatë izolimit.
Edhe në shtëpitë e tyre sportistët nuk kanë ndalur ushtrimet. Lojërat do të mbahen më vonë, por ato gjithsesi do të mbahen. Kështu që sportistët duhet të përgatiten edhe kur janë në bllokadë.